Haxhiu pezullon përmbaruesin Irfan Kërçagu
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka njoftuar se bazuar në kompetencat e saj ligjore, të premten ka nënshkruar Vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, siç ka shkruar ajo, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor.
Në vendimin e publikuar nga Haxhiu thuhet se ndaj Kërçagut është iniciuar procedurë disiplinore, nga ana e Komisionit Disiplinor dhe suspendimi thuhet se është bërë në mënyrë që “procedura disiplinore të zhvillohet pa u penguar”.
“Si Ministre e Drejtësisë jam zotuar në mbrojtjen e interesit publik dhe çdo vendim i imi do të jetë në linjë me këtë parim. Profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre. Duke pasur parasysh ankesat e qytetarëve dhe institucioneve ndaj përmbaruesve, i bëj thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Koha ka kontaktuar Kërçagun, por ai nuk e ka komentuar vendimin.
“Nuk kam marr asgjë, nuk kam të drejtë të komentojë për momentin”, ka theksuar Kërçagu.
Rruga Press