KryesoreLajme

Haxhiu: Përbërja e re e KPK-së hap rrugë për transparencë dhe pavarësi në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në rrjete sociale lidhur me ndryshimet e fundit ligjore që prekin Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), duke i cilësuar ato si një hap të madh drejt rritjes së transparencës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Sipas Haxhiut, nga janari i vitit 2026 KPK do të nisë punën me një përbërje të re ligjore prej shtatë anëtarësh. Ajo theksoi se, ndryshe nga përbërja e mëparshme, balanci ndërmjet anëtarëve prokurorë dhe atyre jo-prokurorë do të jetë dukshëm më i afërt, çka sipas saj garanton vendimmarrje më të paanshme.

Ministrja vlerësoi se kjo përbërje e re parandalon që KPK të mbetet një rreth i mbyllur i grupeve të interesit brenda sistemit prokurorial, duke përfshirë edhe zëra të pavarur nga jashtë, të cilët marrin vendime pa ndikime të brendshme apo të jashtme.

Lexo më shumë  Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik për shkak të reshjeve të shiut

Haxhiu bëri të ditur se sapo të konstituohet Kuvendi i Kosovës, do të sigurohet zgjedhja pa vonesa edhe e anëtarit të mbetur jo-prokuror, përmes një procedure që garanton përzgjedhjen e një kandidati të përgatitur dhe pa ndikime politike, në përputhje me Ligjin e ri.

Në fund, ajo theksoi se si përfaqësues të besuar të qytetarëve, institucionet mbeten të përkushtuara për ta çuar deri në fund reformën në drejtësi, me synimin për ndërtimin e një sistemi plotësisht të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm, që u ofron qytetarëve drejtësi efikase.

Reagimi i plotë:

KPK me përbërje të re, hap i madh për transparencë dhe pavarësi.

Si rezultat i ndryshimeve të miratuara, nga janari 2026 Këshilli Prokurorial i Kosovës fillon punën me përbërjen e re ligjore prej 7 anëtarë.

Për dallim nga përbërja e kaluar, balanci mes anëtarëve prokurorë dhe jo‑prokurorë është dukshëm më i afërt. Kjo siguron që KPK, si një institucion kyç për funksionimin e drejtësisë, të mos mbetet një rreth i mbyllur i grupeve të interesit brenda sistemit prokurorial, por të përfshijë edhe zëra të pavarur nga jashtë, që marrin vendime pa u ndikuar nga askush.

Sapo të konstituohet Kuvendi, do të sigurohemi që edhe anëtari i mbetur jo‑prokuror të zgjidhet pa vonesa, përmes një procedure që garanton përzgjedhjen e një kandidati të përgatitur dhe pa ndikime politike, e i cili propozohet nga Komisioni me përbërje profesionale, ashtu siç parasheh Ligji i ri.

Si përfaqësues të besuar të qytetarëve, mbetemi të përkushtuar të çojmë deri në fund pjesën tjetër të reformës në drejtësi.

Qëllimi ynë është i qartë dhe më i fortë se asnjëherë më parë, një sistem i drejtësisë plotësisht i pavarur, i paanshëm dhe i pandikuar as nga jashtë e as nga brenda, që u ofron qytetarëve drejtësi efikase dhe të besueshme.

Lexo më shumë  Mediat e lajmeve hibride në Kosovë shpikën takim, Gazeta zvicerane NZZ sqaron: Bislimi dhe Gjuriq nuk janë takuar, as fshehurazi e as zyrtarisht
YouTube player