Lajme

Haxhiu: Për vrāsjen e Balajt e Xheladinit i jam drejtuar Sekretarit të Kombeve të Bashkuara

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune, për rastin e vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, i është drejtuar Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, për të kërkuar informata.

Në 16-vjetorin e vrasjes së tyre, Haxhiu në një status në Facebook, ka shkruar se në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së tyre. “Para 3 vitesh zyrtarisht si ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra për vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune”, ka shkruar Haxhiu.

Lexo më shumë  Kurti prezanton sloganin e fushatës: “Nuk lëshojmë pe për një Kosovë më të drejtë dhe më të sigurt”

Mon Balaj dhe Arben Xheladini “u bënë sakrifikuesit e shtetësisë që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë dhe qindra-mijëra qytetarë që mbushën rrugët atëkohë”.

“E drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar u dhunua me shkopinj e plumba gome të UNMIK-ut, që për pasojë u dhanë fund tragjikisht jetëve të Monit dhe Arbenit. Rënia e tyre e ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit ‘pavarësi e mbikëqyrur’, ende pa u mbushur as 3 javë prej vrasjes së dy aktivistëve nga plumbat e policisë rumune”, ka shkruar Haxhiu.

Aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. “Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, emrave që përherë do të jenë të gdhendur në pllakën e Kosovës së pavarur! Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë!”, ka shkruar Haxhiu.

Lexo më shumë  Reforma territoriale në ngërç! Qeveria lë Shqipërinë jashtë fondeve të BE-së

Balaj e Xheladini u vranë me plumba gome nga policë rumunë që vepronin në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më 10 shkurt 2007 në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e kundërshtuar pakon e Ahtisaarit dhe negociatat me Serbinë. Përmes një shkrese, në shkurt të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë, ku kërkonte informacion për procedurat e hetimit ndaj policëve rumunë që kanë kryer vrasjen.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *