Haxhiu: Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara po humbin vlerën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e konsideron brengë të madhe që shumë prej pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara po mbesin me vite të tëra si te tilla dhe po e humbin vlerën.
Këto komente ajo i bëri në tryezën e organizuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) për të diskutuar mbi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional në ketë drejtim me qëllim të fuqizimit të Agjencisë.
Sipas saj, Ligji për Byronë Shtetërore i cili ndodhet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese do të mundësonte që gjithë kjo pasuri e konfiskuar dhe sekuestruar të ndahet për grupet e margjinalizuara dhe institucionet.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport theksoi se përdorimi i mjeteve të personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale që janë konfiskuar dhe sekuestruar për të ndihmuar komunitetet është një ide e mirë.
Ai theksoi se konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë është një vegël efektive për të luftuar krimin sepse marrja e këtyre aseteve ilegale sipas tij godet në zemër kriminelet dhe aktivitetet e tyre.
Zëvendësuesi i Drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Enver Kransiqi tha se kanë zhvilluar aktivitet intensiv përfshirë bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese.
Sipas tij, vendimet për konfiskim kanë qenë në 60% në favor të konfiskimit dhe për vlerën monetare kanë qenë më te mëdha për 30%.
Rruga Press