Uncategorized

Haxhiu në Ministerialin e BE-së: Të dënohet sulmi terrorist i mbështetur nga Serbia në Banjskë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Ministerialin e organizuar në Shkup, krahas përfaqësueseve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit. Haxhiu theksoi se me përkushtim Kosova po përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke i kushtuar një kujdes të veçantë edhe Raportit për Vendin të Komisionit Evropian.

Haxhiu ka vlerësuar reagimet e akterëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si dhe rezolutën e miratuar në Parlamenti i Evropës e cila dënon këtë akt.

Haxhiu tha se një sulm i tillë, “pa dyshim është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë, sulm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt, ne tashmë kemi prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga fqinji ynë verior, Serbia”, thuhet në komunikatën për media të ministrisë.

Haxhiu ftoi të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen.

E, sa i përket qëndrimit të Kosovës, masave edhe veprimeve të ndërmarra ndaj agresionit rus në Ukrainë, ministrja Haxhiu ka përmendur faktin se deri tani janë miratuar 11 paketat e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe që janë mbështetur sanksionet e SHBA-së ndaj këtyre vendeve.

Rruga Press

YouTube player