Haxhiu: Komisioni i Venecias përkrah propozimin për 7 anëtarë në KPK
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se para Komisionit të Venecias ka prezantuar qëllimin e Qeverisë për reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke thënë se ndër të tjera, Komisioni u pajtua për ndryshimet ligjore të këtij institucioni.
Ajo ka thënë të hënën para mediave se Komisioni i Venecias s’e ka përkrahur rritjen e përkohshme të anëtarëve të KPK-së, derisa tha se është rekomanduar që numri i anëtarëve të jetë 7.
“Komisioni i Venecias nuk e rekomandon zgjerimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por të mbetet në 7, siç kemi theksuar ne dhe kjo konsiderohet reforma që e konsiderojmë të rëndësishme. Këshilli duhet të funksionojë me standardet ndërkombëtare dhe të jetë institucion i pavarur e të ketë debat demokratike në kuadër të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.
Sipas Haxhiut, ndryshimet në Ligjin e KPK-së duhet të bëhen me qëllim të sigurimit së balancës brenda institucionit, e ky Këshill, të jetë i përbërë nga anëtarë prokurorë dhe joprokurorë.
“Dy ndryshime në Ligjin për KPK-në: Përbërja permanente nga 7 anëtarë; 3 prokurorë, 3 anëtarë joprokurorë dhe kryeprokurori i shtetit…Dhe nga 13 anëtarë të KPK-së në 19 deri në janar të 2026-s, që të sigurohet balancim i përbërjes deri atëherë kur anëtarëve të KPK-së t’iu përfundojnë mandatet. Nga ndryshimet kemi propozuar kritere shtesë për anëtarët e Këshillit”, ka potencuar ajo.
Haxhiu: Brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës bëhen pazare
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa ka folur për reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e ka akuzuar këtë institucion për pazare me pozita.
Në konferencën e mbajtur të hënën, Haxhiu ka thënë se ende pa nisur procesi i emërimit, dihet se kush çfarë pozite do ta mbajë.
Sipas saj, këto veprime janë jodemokratike, për çka nevojitet reformë.
“Ende pa nisur procesi, dihen emrat kush do të jetë ku. Kjo nuk është demokratike, është veprim i grupeve të interesit, pazareve brenda Këshillit për t’i mbajtur në ato pozita edhe më gjatë. Konsideroj se këto janë veprimet e fundit të KPK-së sepse reforma në drejtësi është në rrugë të mbarë”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka konsideruar se është bërë zgjidhje e përkohshme për ta eliminuar “korporatizmin”.
“Kemi bërë zgjidhjen e përkohshme për ta eliminuar korporatizmin dhe për të krijuar balancë me 19 anëtarë, që do të vlente deri në dhjetor, përkatësisht janar të vitit 2026. Venecia nuk kërkon me ngulm ta braktisim idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të KPK-së, por megjithatë parasheh rreziqe dhe nuk e mbështet më tepër sesa versionin e përbërjes së përhershme, me 7 anëtarë”, ka thënë ajo.
Rruga Press