KryesoreLajme

Haxhiu i reagon Tahirit: A ke qenë i informuar apo edhe i përfshirë në misionin e zhdukjeve të mostrave të Deharit?

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka hedhur disa dyshime mbi gjetjen e mostrave të Astrit Deharit.

Haxhiu i ka quajtur shpifje deklaratat e Tahirit, duke thënë se kërkohet edhe reagimi i institucioneve përkatëse të drejtësisë.

“Ish ministri me shurdhues, Abelard Tahiri paska adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë. Si Ministre e Drejtësisë, kam për obligim të demantojë shpifjet e trilluara, ndërsa të njëjtit le t’i mbetet për tu sqaruar më tej në organet kompetente, me shpresën që pas këtyre deklaratave do të ftohet si dëshmitar”, ka pohuar ajo.

Tutje, ministrja ka thënë se “për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, i kam njoftuar institucionet e drejtësisë në orët e mbrëmjes së 7 dhjetorit të vitit 2022, ndërsa opinionin publik përmes konferencës për medie më 8 dhjetor 2022. Për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë”.

“Aludimi i tij në Konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe. Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave?”, thotë ministrja.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

Më tej ajo ka shkruar se Tahiri duhet dëshmuar edhe në Prokurorinë Speciale, mbi dyshimet që i ka mundësuar.

“Të gjitha këto dyshime që i mundësoi z. Tahiri përmes deklaratës së tij, le t’i dëshmojë tashmë edhe si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Motivet për zvarritjen e zbardhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit mbesin ende të panjohura për ne, dhe për këtë familja e Astrit Deharit kanë kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet Prokurori”, potencoi ajo.

Në reagimin e bërë, ministrja Haxhiu ka shkruar se “Abelard Tahiri po ashtu thekson së që nga zhdukja e mostrave u vështirësua dhe mjegullua hetimi në rastin Dehari edhe pse ai e di shumë mirë që analizat e atyre mostrave janë bërë që nga koha kur është vrarë Astriti dhe raportet për të njëjtat tashmë janë në Prokurori”.

“Zërat e tillë vijnë për të larguar vëmendjen nga diku tjetër, dhe asnjëherë për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Por, le të shpresojmë që deklarata e tij mund t’i kontribuojë të vërtetës për zhdukjen e mostrave, siç potencon ai “që nga pranvera e vitit 2022″.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

Për informim të opinionit publik, rikujtoj se që nga 5 nëntori i vitit 2016, pati një sërë përpjekjesh për të manipuluar të vërtetën mbi vrasjen e Astrit Deharit, në Burgun e Prizrenit. Për të gjitha këto kemi folur shumë herë”, thekson ndër tjera ajo.

Më tej, ajo ka shkruar se “paraardhësja e tij, ish ministrja Dhurata Hoxha përveç se nuk mori kurrfarë përgjegjësie për vrasjen në Burgun e Prizrenit, sipas dyshimeve e njëjta ka ndërhyrë edhe tek zyrtarët e SHKK dhe Inspektoratit”.

“Me të pranuar mandatin tim si Ministre, kemi ndërmarrë shumë veprime për adresimin e veprimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve në SHKK dhe Inspektorat. Për të gjitha këto e kemi njoftuar PSRK e po ashtu kemi nisur procedurat për t’ia kthyer dinjitetin Institucionit të Mjekësisë Ligjore, nga ku rrodhën edhe zhvillime të padëshiruara për të penguar funksionalizimin e mirëfilltë të atij Institucioni”.

“Insinuatat e krijuara nga ish pushtetarët dhe marionetat e tyre për të penguar punët e mira do t’i përgjigjemi përherë me përgjegjësi, duke dëshmuar konsistencën tonë për të sjellë përherë rezultatet, si çdo herë, dëshpëruese për ata, dhe motivuese për ne dhe qytetarët e Kosovës”, thekson ajo.

Rruga Press

YouTube player