Haxhiu: Gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr nuk mund të kthehen më në sistemin e drejtësisë
Dorëheqjet e prokurorëve, gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës në veri të Kosovës, duhet të pranohen dhe të njëjtit nuk duhet të kthehen më në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Kështu tha ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 9 nëntor, Haxhiu tha se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial ende nuk kanë trajtuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, sepse ende nuk i kanë të gjitha dorëheqjet.
“Medimi ynë është që personat që dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem, për faktin se është goditje për sistemin e drejtësisë, për Republikën e Kosovës, që një gjyqtar dhe një prokuror, të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bëhen nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi”, tha Haxhiu.
“Thjeshtë, nuk mund të them se kjo është diçka e paprecedent, sepse ka pasur bojkot edhe kur është vendosur vendimi për tarifat, por po ashtu sa i përket vendimit të ndalimit të mbajtjes së zgjedhjeve apo referendumit në Kosovë. Për fat të keq po i vuajmë pasojat e vendimeve të qeverive të kaluara. Nëse sot një gjyqtar shqiptar dorëhiqet, natyrisht se ai nuk mund të kthehet më në sistem. Por, dorëheqjet duhet të pranohen dhe po ashtu të hapen konkurset për punësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj”, shtoi ajo.
Të hënën, më 7 nëntor, punonjësit serbë në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.
Përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve, dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarët policorë, deputetët në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – dhe një ministër në Qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti.
Ministrja Haxhiu tha se vetëm në ditën e parë Prokuroria dhe Gjykata e Mitrovicës janë përballur me sfida, por shtoi se tani puna është duke vijuar normalisht.
“Gjykata dhe Prokuroria në veri po funksionojnë, lëndët po trajtohen, qytetarët po i marrin shërbimet. Sfidë ka qenë dita e parë sepse ky rast [njoftimi për dorëheqje] ka ndodhur gjatë fundjavës dhe nuk kanë qenë në dijeni për seancat që i kanë mbajtur, për vendimet për paraburgim që kanë qenë më të ndjeshme. Mirëpo, tashmë janë plotësuar këto vende dhe situata është duke vijuar”, tha ajo.
Më 8 nëntor, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, i tha Radios Evropa e Lirë se largimi i prokurorëve serbë ka ngadalësuar punën në këtë institucion.
Ai tha se departamenti më i ngarkuar, ai i përgjithshëm, tashmë ka mbetur vetëm me një prokuror.
Puna është ngadalësuar edhe në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ka thënë për REL-in, drejtuesi i saj, Bekim Veliqi. Ai ka treguar se nuk kanë gjyqtarë të mjaftushëm për të formuar panele për gjykimin e krimeve të rënda.
Gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe policët serbë, u integruan në sistemin e Kosovës, pasi më 2013, në Bruksel Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për një gjë të tillë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa Qeveria të mos tërhiqet nga plani për targat dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit – prej tri fazash – për riregjistrimin e makinave me targa serbe, në ato legale RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë parasheh shqiptimin e qortimeve për shoferët me makina me targa të tilla, e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh dhe në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.
Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makina që nuk kanë targa RKS.
Besohet se në veri të Kosovës qarkullojnë afër 10.000 makina me targa serbe, që Kosova i konsideron ilegale./REL
Rruga Press