Haxhiu: Ata që nuk e duan vetingun nuk kanë integritet moral e profesional
Ministria e Drejtësisë (MD) është në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias sa i përket procesi të vetingut në sistemin e drejtësisë.
Ministrja Albulena Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë përfunduar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese në raport me vetingun dhe të njëjtin e kanë dërguar në Komision për komente.
Ajo është optimiste se ky komision do t’i jap mbështetje këtij procesi, siç e quan ajo shumë të rëndësishëm për vendin.
“Ne kemi përfunduar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese në raport me vetingun në sistemin e drejtësisë. Ne jemi në pritje të opinionit të Venecias në raport me koncept dokumentin për vettingun por edhe draftin e amendamenteve të cilat i kemi dërguar pranë komisionit të Venecias. Pra sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni mbahet më 16 mars, për faktin se në praktikat e komisionit të Venecias drafti i opinionit dërgohet dy javë përpara në mënyrë që ne të kemi mundësinë që t’i japim komentet tona në raport me dokumentin në fjalë. Jam optimiste që Komisioni i Venecias i ka dhënë mbështetje ose t’i jap mbështetje amendamenteve kushtetuese dhe në përgjithësi vettingut në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se me Zyrën e BE-së dhe ambasadën Amerikane janë në komunikim në vazhdimësi sa i përket këtij procesi.
“Ne jemi në vazhdimësi në komunikim edhe me miqtë tanë ndërkombëtar, kryesisht me Zyrën e Bashkimit Evropian me ambasadën Amerikane dhe në këtë drejtim edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Mirëpo siç jeni në dijeni Mbretëria e Bashkuar publikisht ka dalë në mbështetje të vetingut në sistemin e drejtësisë, prandaj e konsideroj që është një hap shumë pozitiv duke pas parasysh që po na vjen një mbështetje e madhe prej një shteti jashtëzakonisht të rëndësishëm për Republikën së Kosovës”, është shprehur ministrja Haxhiu.
Ajo ka thënë se ka njerëz që i frikësohen vetingut, dhe sipas saj kjo është e pritshme pasi ata nuk kanë integritet moral e profesional.
“Unë besoj që njerëzit e ndershëm dhe me integritet profesional brenda sistemit të drejtësisë e kanë të rëndësishëm vetingun sepse vetëm përmes vetingut do të mund të vijnë në shprehje pastaj puna e tyre. Po natyrisht kemi edhe individ të cilët nuk e duan vetingun edhe kjo është e pritshme që ata të cilët konsiderojnë që nuk kanë integritet moral dhe profesional të mos e duan vetingun sepse mund të konsiderojnë që nuk arrijnë ta kalojnë procesin e vetingut. Ndonëse për këtë është përgjegjës komisioni që do të themelohet si një mekanizëm i pavarur dhe i jashtëm për ta bërë vetingun tek prokurorët dhe gjyqtarët”, ka theksuar ajo.
Ministrja e Drejtësisë thotë se qëllimi është që Kosova të jetë shtet i së drejtës e që qytetarëve t’iu kthehet besimi në institucionet e drejtësisë.
Haxhiu ka bërë thirrje që të mos kundërshtohet ky proces për të cilin thotë se është i rëndësishëm.
Rruga Press