Harrisi ka rritur epërsinë ndaj Trumpit, thotë sondazhi i ri i Reuters/Ipsos
Demokratja Kamala Harris kryeson në raport me republikanin Donald Trump, 45% me 41%, në një sondazh të Reuters/Ipsos të publikuar të enjten.
Rezultati tregon se zëvendëspresidentja po shton mbështetjen mes votuesve dhe po lëkund garën, pak përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, raporton Reuters.
Avantazhi prej 4 pikë përqindjeje midis votuesve të regjistruar është më i madh se një avantazh prej 1 pikësh që kishte Harrisi ndaj ish-presidentit, Donald Trump në një sondazh të fundit gjatë muajit korrik, të kryer po ashtu nga Reuters/Ipsos.
Sondazhi i ri, i cili u krye në tetë ditët e fundit dhe kishte një diferencë gabimi prej 2 pikë përqindjeje, tregon se Harrisi po shton mbështetjen mes grave dhe hispanikëve.
Harrisi udhëhoqi në sondazh në raport me Trumpin, 49% me 36%, ose 13 pikë përqindje, si midis votuesve femra ashtu edhe midis votuesve hispanikë.
Në katër sondazhe të Reuters/Ipsos të kryera në korrik, Harrisi kishte një epërsi 9 pikë mes grave dhe 6 pikë epërsi midis hispanikëve.
Trumpi megjithatë kryeson mes votuesve të bardhë dhe meshkujve, të dy me diferencë të ngjashme si në korrik.
Gjetjet tregojnë se gara presidenciale në SHBA po pëson ndryshime.
Presidenti Joe Biden, 81 vjeç, hoqi dorë nga kandidatura e tij për rizgjedhje, më 21 korrik, pasi një performancë e tij e dobët debati kundër Trumpit në CNN nxiti thirrje mes kolegëve të tij demokratë për t’u larguar nga gara.
Që atëherë, Harrisi ka rritur mbështetjen në raport me Trumpin, në sondazhet kombëtare dhe ato në shtetet kritike.
Që nga pranimi zyrtar i nominimit demokrat javën e kaluar, Harrisi ka nisur një turne në shtetet e fushës së betejës, duke përfshirë Gjeorgjinë.
Rruga Press