Bota

Harris: Trumpi është si mashtruesit që kam ndjekur penalisht si ish-prokurore

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tha se zgjedhjet presidenciale të nëntorit në këtë vend do të jenë zgjedhje midis një ish-prokuroreje dhe një “krimineli të dënuar”.

Me këtë të fundit, kandidatja e pritur për presidente nga Partia Demokratike iu referua kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.

Harris i bëri komentet në tubimin e parë të saj zgjedhor në Uiskonsin.

Një ditë më herët u bë e qartë se ajo ka mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë, për t’u nominuar kandidate për presidente.

Lexo më shumë  Shefi i NATO-s: Kina është bërë mbështetëse vendimtare e pushtimit ukrainas nga Rusia

Presidenti aktual, Joe Biden, i dha asaj mbështetje, pasi vetë u tërhoq nga gara për rizgjedhje më 21 korrik.

Duke folur para mijëra mbështetësve në Uiskonsin, Harris e krahasoi Trumpin me, siç tha, mashtruesit që si ish-prokurore i ka ndjekur penalisht.

Gjatë fjalimit, ajo parashtroi edhe një sërë prioritetesh liberale që tha se do t’i ketë nëse zgjidhet presidente, përfshirë këtu: kontrollin e armëve dhe qasjen në abort.

Lexo më shumë  Holanda i jep Ukrainës raketa, pajisje dhe materiale për avionët F-16

“A duam të jetojmë në një vend të lirisë, ndjesisë dhe sundimit të ligjit, apo në një vend të kaosit, frikës dhe urrejtjes?”, tha ajo.

Trump reagoi me një postim në rrjetet sociale, ku shkroi se “Kamala Harris gënjen” dhe “shkatërron gjithçka që prek”.

Ai u dënua në muajin maj për ndikim të paligjshëm në zgjedhjet e vitit 2016 dhe përballet me disa gjyqe të tjera.

Rruga Press

YouTube player