Lajme

Hapet “Panairin e Rinisë”, Çeku: Kosovën ta bëjmë vend sa më tërheqës për rininë tonë

Panairi i Rinisë ka bërë bashkë sot shumë të rinj të cilët po promovojnë talentin e tyre në Prishtinë. Teknologji, inovacion, gastronomi, prodhimtari, punime të ndryshme nga druri dhe piktura, u promovuan nga mbi 50 të rinj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në ceremoninë e hapjes së panairit, tha se do të vazhdojnë të mbështesin financiarisht të rinjtë për të shfaqur dhe promovuar talentin e tyre, derisa shtoi se po përpiqen që Kosovën ta bëjnë vend sa më tërheqës për moshat e reja.

“Si Ministri e Rinisë bashkë me gjithë Qeverinë deri tani kemi bërë disa veprime shumë të rëndësishme edhe në nivel të politikave, të programeve dhe të mbështetjes financiare për ta zhvilluar potencialin rinor në vendin tonë. Dhe jam i bindur që edhe me angazhimin e gjithë juve dhe angazhimin e partnerëve tanë, ne do të arrijmë ta zhvillojmë tutje këtë potencial, dhe Kosovën tonë ta bëjmë vend sa më tërheqës për rininë tonë dhe për punët e mira që ju i realizoni”, tha Çeku.

Po ashtu, edhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Nona Zicherman tha se po bashkëpunojnë me partnerë të tjerë që t’u mundësojnë të rinjve t’i zhvillojnë aftësitë e tyre.

“Fuqizimi dhe përforcimi i zërave të adoleshentëve dhe të rinjve, është fokusi kryesor i punës së UNICEF-it, këtu në Kosovë. Ne bashkëpunojmë me partnerë nga qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat për të zgjeruar programet dhe platformat që angazhojnë të rinj nga të gjitha komunitetet, që u japin atyre mundësi kuptimplote për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për t’u lidhur me të tjerët, si dhe u ofrojnë atyre hapësirë për të ndarë dhe rritur idetë, produktet dhe shërbimet e tyre inovative. Shpesh flasim më shumë për sfidat dhe më pak për mundësitë, por e dimë se vendosmëria e të rinjve mund të na ndihmojë të kapërcejmë sfidat tona kolektive dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur”, u shpreh Zicherman.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Ndërkaq, Gëzim Morina është ndër shumë të talentuar që mori pjesë në këtë panair. Ai shprehet se pret mbështetje nga shteti që të mund të realizojë ëndrrën e tij.

“Sot këtu në këtë panairin i kam sjellë disa nga punimet e mija që janë dronë, aeroplanë, janë vetëm disa se kam shumë. Punoj shumë qe katër vite veç kam filluar të rregulloj aeroplanë edhe dronë, i kam hobi… Po, e shoh që po kanë interesim, po ndalen dhe po i shikojnë, po janë të interesuar, këto i kam sjellë vetëm për promovim, mi pa studentët e rinj, këto nuk janë për shitje, i bëj vetëm për qejf për vete… Për momentin ndonjë mbështetje të madhe nuk ka pasur, përveç Komunës së Kamenicës që ka shpreh dëshirën për të më financuar me disa pajisje, që të bëjmë dronët… Besoj që të ardhmen duke u financuar edhe nga shteti do të fillojmë të ndërtojmë dronë që do të kryejnë shërbime edhe për ushtrinë”, tha Morina.

Talentin e saj të pikturës e tregoi edhe 14 vjeçja, Erblina Arifaj, e cila pret socializim dhe shitje të pikturave përmes këtij panairi.

“Prej këtij panairi presim socializimin me njerëz të ndryshëm të cilët marrin pjesë në këtë panair, si dhe shitjen e disa pikturave të organizatës tonë. Ne jemi organizata “The Art”, ku jemi disa të reja prej moshës 14 vjeçare deri në mosha më të mëdha… Janë më dimensione A4 20 euro por më të voglat 10 euro, besoj që do të kemi sukses, deri më tash disa vetëm na kanë pyetur për çmimet, po nuk është shitur asnjë ende”, tha Arifaj.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Gjithashtu, edhe drejtuesja e zyrës rajonale për bashkëpunim rinor “RYCO”, Krenare Gashi-Krasniqi e vlerëson si të rëndësishëm këtë panair, pasi sipas saj, të rinjtë kanë mundësi të përfitojnë grande për të zhvilluar projektet e tyre.

“Zyra e RYCO-s është duke prezantuar disa nga programet e saj që ka, duke filluar nga programi i super shkollave të cilën jemi duke e zhvilluar në bashkëpunim me GIZ, në nivel rajonal, ku shkollat nga rajoni mund të aplikojnë për grande nga RYCO dhe të zhvillojnë projekte bilaterale, shkëmbime bilaterale, shkollë me shkollë, e zëmë një shkolla nga Kosova me një shkollë nga Bosnja e Hercegovina… “Është edhe pjesa e kuizit ku dëshirojmë t’i testojmë pak njohuritë e të rinjve se sa e njohin rajonin në aspektin kulturor, por edhe sa e njohin rajonin në aspektin turistik, kështu që ata do të kenë mundësi t’i marrin disa dhurata modeste kushdo që e fiton kuizin e ditës së sotme”, u shpreh Gashi-Krasniqi.

Panairi është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-in dhe po mbahet në Pallatin e Rinisë.

Rruga Press

YouTube player