Lajme

Hapet “kutia e pandorës”, dhjetëra arrestime në Shqipëri!

SPAK ka kryer një mega operacion ditën e sotme, me 32 urdhër arreste për persona të dyshuar si pjesëtarë të grupeve të krimit të organizuar, disa prej të cilëve të konsideruar si “kokat” e krimit të Shqipëri. 

“Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtare të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri- tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma te mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të larte rrezikshmërie shoqërore”, tha kreu i SPAK. 

Drejtori i Policisë, Gledis Nano, ka publikuar emrat e personave të ndaluar deri tani. 

Të arrestuarit deri tani: 

9 masa sigurimi janë ekzekutuar në disa IEVP, në ngarkim të shtetasve:

1. Nuredin Dumani, 35 vjeç
2. Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
3. Altin Ndoci, 35 vjeç
4. Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
5. Skerdi Tasi, 31 vjeç
6. Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
7. Ilirian Feci, 47 vjeç
8. Enver Diva, 43 vjeç
9. Besjan Xhixha, 31 vjeç

٠9 masa sigurimi “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasve, të cilët u arrestuan gjatë operacionit:

1. Ardjan Uzuni, 56 vjeç
2. Leonard Palushi, 41 vjeç
3. Gentian Sharra, 48 vjeç
4. Fatos Gosa, 54 vjeç
5. Florenc Çekrezi, 35 vjeç
6. Petrit Qoli, 51 vjeç
7. Agron Qoli, 52 vjeç
8. Agron Qafa, 48 vjeç
9. Asllan Plaku, 30 vjeç

Fjala e kreut të SPAK: 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.75/2022. Byroja Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim të ngushtë kanë kryer veprime të shumta hetimore në drejtim të zbulimit të autorëve të disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme.

Përkushtimi dhe angazhimi policisë gjyqësore të këtyre dy strukturave të përfshirë në hetime, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, bëri të mundur që pas hetimeve intensive dhe të shumta të grumbullohen prova në drejtim të shumë ngjarjeve kriminale të ndodhura dhe të autorëve të tyre.

Fillimisht Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 14.04.2022, procedimin penal nr.75, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2 ne lidhje me nenin 22, 278, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal; si dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashkuar nga neni 278 dhe neni 302 të Kodit Penal.

Lexo më shumë  Çmenduria e betonit/ 1.5 milion metra katrorë ndërtime të reja në Tiranë

Në vijim të hetimeve, janë zbuluar të dhëna të rëndësishme lidhur me disa vrasje të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, vrasje të mbetura në tentativë, krijimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, vjedhje me dhunë dhe armë, vepra dhune, shkatërrim prone me lëndë plasëse, etj. Si rrjedhojë e këtyre të dhënave janë tërhequr dhe studiuar dosjet penale që kanë të bëjnë me këto ngjarje penale.

U tërhoqën dosjet e 18 procedimeve penale të ndryshme dhe u bashkuan në një procedim të vetëm me procedimin nr. 75/2022. Pas studimit të tyre, mekanizimit të kryerjes së veprave penale, motivit apo konfliktit, veprimeve hetimore në secilën prej tyre, të analizuara këto në raport me të dhënat e reja të disponuara, u evidentuan të dhëna në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar të këtyre veprave penale.

Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës. Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe. Këta  grupe kriminale jane dedikuar në veprat penale në dem të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim te pasurisë.

Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtare të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri- tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma te mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të larte rrezikshmërie shoqërore.

Në kuadër të këtij procedimi penal pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 42 datë 17.05.2022 të Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg” për 32 shtetas.

Po kështu me vendimin 18.05.2022 te Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve.

Deklarata e Gledis Nano, drejtor i Policisë së Shtetit: 

Operacioni i koduar “Golden bullet”, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”, që u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Lexo më shumë  “Zëri i UÇK-së” Rexhep Selimi edhe këtë përvjetor në sallën e gjyqit, së shpejti sjell ekspozitë nga Haga

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe në bazë të  informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”. Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.

Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale. Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Operacioni “Golden bullet” është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, konkretisht asaj të Elbasanit, si dhe të  profesionalizmit të këtyre strukturave, në hetimin e thelluar që çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre personave dhe grupeve kriminale. Operacioni është në vijim dhe dua të garantoj qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të ndalojnë asnjë moment operacionet, deri në kapjen e të gjithë personave të kërkuar që janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Gjithashtu, shpreh vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me homologët tanë, me qëllim lokalizmin, kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë, të këtyre personave, që mund të strehohen jashtë vendit. Njëkohësisht, mbetem i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, që bashkërisht të parandalojmë, të evidentojmë dhe të godasim paligjshmërinë, krimin në përgjithësi dhe atë të organizuar në veçanti,  me qëllim krijimin e një ambienti shumë më të sigurt për qytetarët dhe aspak të sigurt për shkelësit e ligjit”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *