Hapet ekspozita ‘Identitet’ e Jasmir Morinës në Prishtinë
Është hapur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, ekspozita “Identitet” e krijuesit Jasmir Morina.
Në këtë ekspozitë personale janë ekspozuar rreth 30 piktura të punuar në teknikë të kombinuar ngjyrash duke krijuar kompozime gjeometrike, një gërshetim në mes traditës dhe modernes.
Sipas studiuesve, veprat e Morinës kanë si shenjë referuese identitetin, apo traditën duke sjellë vepra me motivacione etnografike e folklorike.
Frrok Kristaj, kurator i ekspozitës ka thënë në fjalën e tij gjatë hapjes së ekspozitës se punimet e Morinës kanë karakter etnografik, e të cilat ngërthejnë në vete elemente ornamentale.
“Duke i ndjekur teknikat klasike, Morina këto vepra i ka punuar në mënyrë mekanike dhe tërësisht me dorë”, ka thënë ai.
Kurse, studiuesi Prend Buzhala ka thënë se në këtë ekspozita janë prezantuar rreth 30 piktura.
Ekspozita ‘Identitet” është ekspozita e dytë personale e Jasmir Morinës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në BK, “Pjetër Bogdani” deri më 26 dhjetor 2020.