Lajme

Hapet ekspozita “Bebëzat e Mallit” kushtuar fëmijëve të vrarë në luftë

Në Prishtinë është hapur ekspozita “Bebëzat e Mallit” me hulumtime dhe fotografi nga Korab Krasniqi dhe kuruar nga Vesa Sahatçiu kushtuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të afektuar nga lufta e fundit 1998-99 në Kosovë, raporton Anadolu.

Në hapjen e kësaj ekspozite të organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Integra”, forumin “ZDF” dhe Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë nga Kuvendi i Kosovës, si dhe qytetarë

Kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve tha se ngjarje të këtilla përpos që mbledhin kujtime dhe ndajnë dhimbjen, shërbejnë edhe për kujtesën kolektive, për të shkuarën dhe për të mos e harruar kurrë atë. Ai tha se liria e Kosovës i ka rrënjët tek të rënët për liri.

“Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj, e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë, që kurrë të mos i harrojmë”, theksoi Kurti.

Lexo më shumë  Shkon në 80 mijë numri i aplikimeve nga diaspora për të votuar. Sot dita e fundit

Autori i ekspozitës, Korab Krasniqi, tha se 24 vjet pas luftës plagët për fëmijët e vrarë dhe të pagjetur mbesin ende të hapura gjersa fëmijët e mbijetuar vazhdojnë të jetojnë mes pasojave të luftës.

Ai tha se me këtë projekt është bërë përpjekje të dokumentohet kompleksiteti i përvojave të fëmijëve në luftë duke ua kthyer atyre të drejtën e fjalës, me qenë se për fëmijët flasin më shumë të rriturit.

“Përmes shkrirjes delikate kuratoriale, ekspozita ofron hapësirën ku dhimbja i delegohet publikës dhe përpiqet të nderojë kujtesën për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë, për të mësuar nga historitë e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin shkatërrues të luftës tek anëtarët më të cenueshëm dhe të pafajshëm të shoqërisë tonë”, theksoi Krasniqi.

Ministrja Haxhiu, nga ana e saj, tha se tragjedia e vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë përveç plagë e shpirtit kombëtar është shenjë dalluese që regjimi i Serbisë ka bërë gjatë shekullit të kaluar, veçanërisht vitet e fundit.

Lexo më shumë  Kurti: Kur shpallëm organizata terroriste 'Mbrojtjen Civile' dhe 'Brigadën e Veriut', ndërkombëtarët na kritikuan, më pak se tre muaj më vonë na ndodhi Banjska

Ajo tha se për fëmijët e vrarë dhe të masakruar ende nuk është dënuar askush dhe Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndërsa kriminelët po vazhdojnë të strehohen në Serbi.

Ekspozita “Bebëzat e Mallit” ka zënë fill në hulumtimin e botuar nga forumi ZDF si libër me titull “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi është ndërtuar nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999 ose menjëherë pas në rrethana që ndërlidhen me luftën, ndërsa dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë. Po ashtu nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komuniteti serb dhe dy të atij rom.

Rruga Press

YouTube player