Bota

Hajdutët e Kremlinit: Si rusët po vjedhin gjithçka në Ukrainë, përfshirë fëmijët

Nga Maurizio Stefanini “Linkiesta

Ndërsa ushtarët e tij po vjedhin deri dhe mbathjet, Putini po grabit edhe Peppa Pig! Nga Karen Dawisha te Moisés Naím, regjimi qeverisës në Rusi është përcaktuar prej kohësh si një “kleptokraci”. Por kjo në një kuptim të gjerë: një grup ish-anëtarësh të shërbimeve sekrete të epokës komuniste, që kanë kapur burimet e një vendi.

Me luftën kundër Ukrainës, përkufizimi i një “regjimi hajdutësh” po bëhen edhe më i kuptueshëm, teksa bashkëpunëtorët e Putinit po vjedhin gjithçka. Nga lavatriçet tek fëmijët, nga gruri tek pronësia intelektuale. Siç denoncon “The Economist”, edhe filmin vizatimor popullor britanik, Peppa Pig.

Në fillim të pushtimit, ajo që bëri më shumë lajm ishin grabitjet e ushtarëve rusë, të cilët çonin në shtëpitë e tyre pajisje elektroshtëpiake të vjedhura nga shtëpitë e ukrainasve, por jo vetëm. Në fund të prillit, nga Kherson doli lajmi se ushtarët e grupit etnik “Buryat” kishin qëlluar mbi çeçenët, duke i akuzuar ata se kishin humbur kohë duke plaçkitur shtëpitë e ukrainasve në vend se të luftonin ndaj tyre.

Të enjten e shkuar, Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, nisi një hetim penal kundër 10 ushtarëve rusë të akuzuar për vjedhjen e pajisjeve elektroshtëpiake, rrobave, dhe të brendshmeve. Mallrat u vodhën midis 24 shkurtit dhe 31 marsit në qytetin e martirizuar Bucha, dhe prej andej u dërguan në shtëpitë e tyre me postë nëpërmjet Bjellorusisë.

Por këto krime janë qesharake në krahasim me alarmin e fundit mbi vjedhjen e burimeve ushqimore të Ukrainës. Nga ky vend para luftës vinte 10 për qind e eksporteve botërore të grurit, 14 për qind të misrit, 17 për qind të elbit, 51 për qind të vajit të lulediellit.

Sulmi rus jo vetëm që e ka ulur këtë eksport me 80 për qind, por ka bllokuar të paktën 27 milionë tonë drithë nëpër portet e vendit. Zelensky i ka akuzuar rusët për vjedhjen e grurit ukrainas. Imazhet satelitore kanë treguar 2 anije mallrash që mbanin flamurin rus, Matros Pozynich dhe Matros Koshka, që të dyja me një kapacitet prej 30.000 tonë kub secila, të ankoruara së bashku në Krime.

Më 30 maj, zëvendësministri ukrainas për Politikën Bujqësore dhe Ushqimin, Taras Vysotskyi, foli për grabitjen e gjysmë milioni ton drithë. “Ka prova të grabitje nga të gjitha rajonet e pushtuara përkohësisht: Kherson, Zaporizhia, Luhansk, Donetsk dhe Kharkiv. Ngarkesa çohet në Rusi, kryesisht nga Kharkiv, Donetsk, Lugansk ose nëpërmjet Krimesë”,- tha ai.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Para luftës, gruri i eksportuar nga Rusia dhe Ukraina mbulonte 30 për qind të konsumit botëror dhe 40 për qind të konsumit afrikan. Aktualisht në botë janë 400 milionë njerëz të rrezikuar nga uria, nga 135 milionë para pandemisë dhe 276 në fillim të luftës.

Rusët kanë plaçkitur edhe Chernobil. Para se të largoheshin, rrëmbyen 700 kompjutera, 300 automjete, mijëra instrumente matëse të rrezatimit dhe softuerë. GPS-ët e kompjuterave të vjedhur tregojnë se ata gjenden në Bjellorusi.

Aspekti më i tmerrshëm është grabitja e fëmijëve, një akt që na rikthen tek një e kaluar e zymtë. Njëlloj si Perandoria Osmane që rrëmbente fëmijët e të krishterëve për t’i bërë jeniçerë (luftëtarë). Qeveria e Kievit denoncon se 1.550.000 ukrainas janë dërguar në Rusi kundër vullnetit të tyre.

Midis tyre, janë të paktën 230.000 fëmijë. Zelensky akuzon Kremlinin se po zbaton një “politikë koherente kriminale të dëbimit të popullit tonë”. Sipas këshilltarit të misionit të përhershëm të Ukrainës në OKB, Sergiy Dvornyk “synimi i kësaj politike kriminale nuk është vetëm të rrëmbejë njerëzit, por t’i detyrojë ata ta harrojnë Ukrainën dhe t’i pengojë

të rikthehen në vendin e tyre”.

Putin nënshkroi së fundmi një dekret që lejon heqjen e shtetësisë ukrainase për fëmijët që kanë mbetur jetimë apo pa kujdes prindëror, dhe që aktualisht banojnë në territoret e pushtuara nga trupat ruse në Ukrainë, me kërkesë të “kujdestarëve ose organizatave që kujdesen për këta të mitur”, me kushtin që të kenë pasaportë ruse.

Ligji që po shqyrtohet aktualisht nga Duma, i paraqitur nga partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, parashikon një procedurë të thjeshtuar për birësimet. Që të aplikosh, mjafton vetëm një dokument identifikimi. Shumë shpejt do të nisë një studim mbi familjet e origjinës së fëmijëve.

Nëse gjenden të afërm të tyre, edhe nëse nuk janë të shkallës së dytë, që jetojnë në Rusi, atëherë ata do t’u jepen atyre për t’i rritur. Në të kundërt, çdokush mund të paraqesë një kërkesë për birësimin e tyre. Deri atëherë të miturit do të jenë nën kujdesin e shtetit, dhe do të marrin “mbështetje sociale”.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Në mediat sociale, mbështetësit e Putinit mbështesin tezën konpirative se në mesin e këtyre fëmijëve ka nga ata që kanë lindur në “bio-laboratorët e NATO-s” të strehuar në bodrumet e Azovstal, dhe të cilët Putin do të donte t’i shndërronte në super-ushtarë të ardhshëm duke “i larguar ata nga Perëndimi!”

Pastaj është edhe një tjetër dekret i firmosur nga Putin, nr.299, që në praktikë ligjëron vjedhjet masive të rusëve në Ukrainë. Siç shpjegon britanikja “The Economist”, “ky dekret   e modifikon Kodin Civil Rus në mënyrë që të autorizojë përdorimin e shpikjeve të patentuara, përfshirë ato në mjekësi dhe teknologjinë dixhitale, që vijnë nga vendet armiqësore, pa pasur nevojë për të kërkuar lejen e pronarit apo të paguhet ndonjë kompensim”.

“The Economist” shpjegon se në teori kjo lëvizje nuk do të ishte tërësisht e paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. “Vendet mund të shmangin rregullat e patentave në rastin e një emergjence kombëtare. Diskutimet mbi të drejtën e autorit dhe negociatat e lodhshme mund të shkaktojnë vonesa. Megjithatë, pritet në çdo rast të paguhet një tarifë sado e vogël. Ndërkohë me ligjin e ri rus, mbajtësit e patentave mund të mos përfitojnë asgjë”- thekson revista.

Edhe pse ligji vlen teorikisht vetëm për patentat që mbrojnë shpikjet, gjykatat ruse kanë filluar ta zbatojnë edhe për lloje të tjera të shkeljeve të pronësisë intelektuale. Për shembull në mars, “Entertainment One UK”, dega britanike e një kompanie kanadeze, e humbi çështjen kundër një rivali rus që përdori një derr të rremë të të famshmit “Peppa Pig”.

Vetëm në 2 javët e fundit të marsit, u depozituan më shumë se 50 aplikime për regjistrim për markat perëndimore si Coca-Cola dhe Christian Dior. Dhe më 6 maj, Rusia publikoi një listë të gjatë prej 25 faqesh të produkteve që mund të importohen pa lejen e pronarit. Këtu përfshihet telefonat Apple, lojërat e kompanisë Nintendo dhe pjesët e makinave Tesla, por edhe armët dhe municionet. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

*Marrë me shkurtime

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *