GRUPI ARBËRESH “SHEGA”, I KËNDOJNË DASHURISË ME GJUHËN E TË PARËVE
“Shega” është një grup arbëresh që i këndon dashurisë. Ata janë katër të rinj nga Hora e Arbëreshëve, qytezë siciliane e themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para disa shekujsh. Ende sot, aty është e gjallë dhe e paprekur gjuha, kultura dhe identiteti arbëresh.
Rrugëtimin e tyre muzikor, ky grup ka vendosur ta pagëzojë me emrin “Shega”. Kjo në mënyrë që edhe në emërtim të ndiejnë diçka nga prejardhja e tyre. Për ta, ky frut simbolizon bashkimin dhe vëllazërinë.
Shumësia e kokrrave të shegës dhe uniteti i tyre, për ta përfaqëson vetë komunitetin e arbëreshëve. Ky rrugëtim i tyre drejt Shqipërisë nuk është i rastësishëm. Grupi “Shega” do të konkurrojë për herë të parë në edicionin e 60-të të festivalit të këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Kënga e tyre e titulluar ‘Një”, flet për dashurinë. Flet për muzikën dhe komunitetin. Me një këngë të shkruar, siç vetë ata thonë me shqipen e kohës së Skënderbeut që u rrënjos në hapësirat e Kalabrisë dhe Sicilisë. Ata nuk i fshehin emocionet e të kënduarit në atdheun e të parëve e veçanërisht në festivalin e rëndësishëm të këngës.
Grupi arbëresh ka performuar për herë të parë në Shqipërinë stinën e verës. Ata u prezantuan albumin e tyre “Ariana” përpara publikut shqiptar e i dhanë pak shije arbëreshe netëve të nxehta. Për muzikantët që luanin për herë të parë në tokën amë, e për publikun që dëgjonte për herë të parë tingujt e muzikës shqiptare të paprekura në shekuj, ishte një emocion i ndërsjellët.
Të rinjtë kanë 7 vite që janë konsoliduar në një grup të mirëfilltë muzikor. Por miqësia mes tyre i ka rrënjët e thella. Ata shprehen se janë rritur bashkë dhe se tingujt muzikorë kishin lënë gjurmë në shpirtin e tyre prej shumë motesh pasi janë rritur me këngë arbëreshe tradicionale e me këndimet bizantine në kishë.
Djemtë e grupit “Shega” thonë se këndojnë në gjuhën e stërgjyshërve të tyre, por edhe në gjuhën e përditshmërisë. Pasi në familjet dhe komunitetin e tyre flitet gjithnjë në gjuhë arbëreshe. Për ta kjo nuk është një zgjedhje, por një mrekulli antropologjike. E vështirë për t’u shpjeguar sidomos në epokën e globalizimit. Synimi i tyre kryesor është që ta trajtojnë gjuhën e tyre të zemrës me autenticitet dhe respekt dhe ta shpalosin përmes tingujsh të pastër dhe melodiozë./a2/
Rruga Press