Gratë ukrainase kanë nisur ushtrimet për t’i luftuar trupat ruse
Gratë ukrainase po ushtrohen vullnetarisht për përdorimin e armëve ushtarake për të qenë gati në rast të sulmit të trupave ruse në Ukrainë.
Svetlana Putilina, drejtuese e një organizate të grave myslimane, i kalon fundjavat duke i ushtruar gratë e tjera. Ato po ushtrohen në një qytet ukrainas që shtrihet vetëm 40 kilometra larg prej kufirit me Rusinë. Derisa vullnetaret po ushtrohen nën komandën e Putilinës, ushtarët e rregullt po mësohen prej instruktorëve amerikanë si t’i përdorin raketahedhësit. Fotografitë janë shkrepur gjatë ushtrimeve ushtarake në poligonin ushtarak afër Lvivit në perëndim të Ukrainës.
Rusia ka vendosur rreth 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën, duke paralajmëruar Perëndimin se nuk e përjashton edhe pushtimin e ish-republikës sovjetike.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të hënën se do të bisedojë në telefon me presidentin Vladimir Putin me qëllim që ai të tërhiqet prej planeve të tij. Johnsoni po i prin një nisme të re diplomatike për uljen e gjakrave ndërmjet dy shteteve fqinje.
Zyra e kryeministrit britanik ka bërë të ditur se Johnsoni, pos që do ta telefonojë Putinin gjatë javës, edhe do të vizitojë shtetet e Evropës Lindore në kuadër të përpjekjeve për frenimin e Rusisë nga planet pushtuese. Moska ka akuzuar SHBA-në për qasje histerike ndaj Ukrainës.
Rruga Press