Grafiku, sa shpejt i reflekton tregu vendas uljet dhe ngritjet e naftës në bursa
Në bursa, çmimi aktual i naftës ka zbritur në rreth 104 dollarë për fuçi, nga 120 dollarë që arriti një javë më parë.
Në rënien e çmimeve ndikoi vendimi i SHBA-ve , teksa presidenti Joe Biden urdhëroi lëshimin më të madh nga rezervat strategjike të naftës, në një përpjekje për të ulur kostot e larta të karburantit. Lëshimi i deri në 180 milionë fuçi nafte gjatë 6 muajve është më i madhi që nga krijimi i rezervës në vitin 1974.
Në tregun vendas, nafta ka zbritur sot në 231 lekë për litër, nga 245 lekë për litër që arriti kur karburanti në bursa ishte 120 dollarë për fuçi. Pritshmëritë janë dhe për një ulje tjetër me 2-3 lekë për litër, sipas operatorëve të tregut.
Sipas grafikut që ndjek lëvizjet e çmimeve në bursta ndërkombëtare dhe në tregun vendas, rezulton që rritja në bursa reflektohen me ritme më të larta në tregun vendas, ndërsa ulja e tyre është përgjithësisht në nivele më të ulëta (shiko grafikun: Nafta në bursa dhe tregun vendas, muaji mars 2022).
Psh, në datat 14-15 mars, kur nafta në bursa zbriti nën 100 dollarë për fuçi, në vend Bordi i Transparencës, i cili që prej fillimit të muajit mars vendos çmimet e karburanteve dhe gazit, e fiksoi në nivelin e 203 lekë për litër.
Kur nafta arriti në 121 dollarë për fuçi, nafta në tregun vendas u rrit në 245 lekë.
Tashmë që në bursa ari i zi zbriti në 104 dollarë për fuçi, në tregun vendas është 231 lekë për litër, ose rreth 30 lekë për litër më shumë, ndërsa diferenca në bursa ëhstë rreth 6-7 dollarë më e shtrenjtë aktualisht në krahasim me 14-15 marsin (kolonat me të kuqe në grafik i përkasin datave kur nafta në bursa ishte në nivelet më të ulëta).
Si shpjegohet ky ritëm më i ngadaltë i uljes në krahasim me rritjen në nivele më të larta?
Sipas operatorëve të tregut, llogaritja e çmimit të naftës varet nga shumë faktorë, përveç çmimit të bursës, si densiteti, premiumi i paguar, kursi i këmbimit lek/dollar, disponueshmëria e tij në treg etj. Një tjetër arsye lidhet me faktin që nga 25 marsi ka pasur një ndryshim në formulën se si Bordi e llogarit çmimin e karburanteve, sipas të cilëve operatorëve u njihen shpenzimet fikse operacionale, pas kostos së blerjes së mallit, të provuara me dokumente, por pa asnjë marzh fitimi. Kosto shtesë e njohur është rreth 15 lekë për litër.
Rruga Press