Google do t’i largojë nga puna punonjësit që refuzojnë të vaksinohen
Google thuhet se u ka thënë punonjësve se ata që nuk respektojnë politikat e kompanisë për vaksinimin anti-COVID, do të humbasin përfundimisht punën e tyre.
Një memo e brendshme, e siguruar nga CNBC, i tha stafit se ata duhet të ofrojnë dokumente që vërtetojnë statusin e vaksinimit.
“Ata që nuk e bëjnë do të vendosen në pushim pa pagesë, dhe më vonë do të shkarkohen”, thuhet në memo.
Google ka bërë presion për një kthim eventual në zyrë, gjë që është vonuar vazhdimisht, dhe pret që ata që paraqiten fizikisht në punë, të vaksinohen.
Kur u kontaktua nga BBC, Google nuk e mohoi saktësinë e raportit të kanalit të lajmeve amerikane mbi memon e brendshme të zbuluar.
Një zëdhënës ka thënë se kërkesa e tyre për vaksinim, është mënyra më e mirë për ta mbajtur të sigurt fuqinë punëtore të kompanisë.
“Siç kemi thënë më parë, kërkesat tona për vaksinim janë një nga mënyrat më të rëndësishme se si mund ta mbajmë fuqinë tonë punëtore të sigurt dhe të mbajmë shërbimet tona në funksion. Ne jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar punonjësit tanë që mund të vaksinohen ta bëjnë këtë, dhe të qëndrojmë me vendosmëri prapa politikës sonë të vaksinimit”, ka thënë zëdhënësi.
Raporti i CNBC tha se memorandumi, i dërguar në fillim të këtij viti, u tha punonjësve se kishin kohë deri më 3 dhjetor për t’i dërguar kompanisë prova të vaksinimit ose për të aplikuar për një përjashtim për arsye mjekësore ose fetare.
Ata që nuk e kanë bërë këtë deri më 18 janar të vitit të ardhshëm, do të vihen në “leje administrative me pagesë” për 30 ditë, thuhet në memorandum, e ndjekur nga pushimi pa pagesë deri në gjashtë muaj.
Pas asaj periudhe “leje personale pa pagesë” ata do të humbnin punën.
Rruga Press