Goditjet ruse në Kiev dëmtojnë ndërtesën e misionit të BE-së – Antonio Costa: “Të tmerruar, por më të vendosur për ta mbështetur Ukrainën”
Një tjetër valë sulmesh ajrore ruse ka goditur kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke lënë të paktën 12 të vdekur dhe duke shkaktuar dëme serioze në infrastrukturë. Mes objekteve të goditura ishte edhe ndërtesa e misionit të Bashkimit Evropian në Ukrainë, e cila pësoi dëmtime nga bombardimet.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, reagoi me indinjatë të thellë pas sulmit, duke e cilësuar atë një goditje të qëllimshme dhe të papranueshme.
“Jam i tmerruar nga kjo seri e re sulmesh ruse në Kiev, ku humbën jetën të paktën 12 njerëz. Mendimet e mia shkojnë për viktimat ukrainase dhe për stafin e delegacionit të BE-së, ndërtesa e të cilit u dëmtua nga ky sulm i qëllimshëm i Rusisë,” shkroi Costa në rrjetin social X.
Ai theksoi se këto sulme nuk do ta përkulnin Bashkimin Evropian, përkundrazi:
“BE-ja nuk do të lejojë të frikësohet. Agresioni i Rusisë vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë për ta mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj.”
Sulmet ndaj Kievit vijnë në një kohë kur Rusia ka intensifikuar përdorimin e raketave dhe dronëve kundër qyteteve ukrainase, duke shkaktuar vazhdimisht viktima civile dhe dëme në infrastrukturën kritike.
Rruga Press

