Goditet edhe një herë spiunazhi serb në veri
Nga burime të besueshme të një prej gazetarëve tanë, është mësuar se sot në mbrëmje organe të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës kanë rënë në gjurmë të veprimtarisë agjenturore edhe brenda zyrave të Misionit të OSBE-së që vepron në veri të Kosovës. Është lokalizuar agjentja në fjalë, pseudonimi i përdorur prej saj si dhe natyra e punës që i është caktuar. Pra, kemi të bëjmë me një mision brenda Misionit.
E dyshuara si agjente është e etnisë serbe. Ajo quhet Jelena Djukanovic. Vepronte nën pseudonimin “Jeca”. Është e moshës 49 vjeçe dhe banon po aty ku punon, pra në veriun e Mitrovicës. Nuk do shumë mend për me kuptu se në interes të kujt vepron si spiune, pra më së paku në interes të shtetit të Kosovës apo të Misionit të OSBE-së.
Misioni i OSBE-së ka për qëllim sigurinë dhe bashkëveprimin. Vendosja e një agjenti në këtë organizatë është një dëm i madh kundër vetë organizatës së OSBE-së, por dhe të veprimit të saj në mjedisin ku punon. Në këtë rast bëhet fjalë për Misionin në veri të Mitrovicës. Pra, Beogradi nuk ka vepruar vetëm nëpërmjet strukturave paralele, cënimeve të rendit kushtetues me sulme dhe akte të tjerë terroristë, krimit të organizuar dhe kontrabandës, por edhe përmes spiunimit të vetë organizatave ndërkombëtare që veprojnë aty. Qëllimi i spiunazhit ka qenë, siç duket prej burimit, marrja e informacionit rreth Kosovës prej bisedave dhe raporteve që bëhen brenda organizatës. I tërë qëllimi është edhe në këtë rast të dëmtohet rendi kushtetues i Republikës, duke dëmtuar veprimtarinë e kësaj organizate në një zonë të ndjeshme siç është veriu i Kosovës. Pra Beogradi dëmton edhe vetë OSBE-në me spiunët e vet.
Diku te tetë muaj më parë është arrestuar një tjetër person mashkull, edhe ai etnisë serbe. Emri i tij është Aleksandër Vlajic. Vlajic nuk punonte në ndonjë organizëm ndërkombëtar, por ishte pjesë e Policisë së Kosovës. Ai qëndroi aty deri në dorëheqjen e policëve serbë nën urdhrat e Beogradit për të bllokuar funksionet kushtetues të Kosovës në veriun e saj. Vlajic, banonte në veri të Mitrovicës. Dyshimet po përsëri kishin të bënin me spiunim e agjenturë në lidhje direkte me BIA-n në Beograd. Edhe personi i sapondaluar, Jelena Djukanovic, dyshohet për spiunazh, aktivitet që ndëshkohet sipas ligjeve të Republikës. Në bazë të dyshimeve prokuroria ka marrë vendimin e ndalimit të Jelena Djukanovic.
Nga çka disponojmë deri tash, kuptojmë se të dy personat jetonin në veri të Mitrovicës në shërbim të të njëjtit organizëm në Beograd. Organet e inteligjencës dhe sigurisë, janë ndoshta shumë afër zbulimit të një zinhiri spiunazhi që punon drejtpërdrejt për BIA-n.
Pas aksioneve të fundit të policisë së Kosovës për pastrimin e veriut nga të gjithë armët, municionet, eksplozivët, uniformat dhe financat që i shërbejnë akteve terroriste, goditja e spiunazhit është një arritje shumë e madhe në konsolidimin e sovranitetit të Kosovës dhe garantimin e veriut të saj.
Rruga Press