Bota

Godet përsëri “Sindroma e Havanës”/ Kush po i sulmon diplomatët amerikanë?

Katër diplomatë të tjerë amerikanë që punojnë në Gjenevë dhe Paris janë sëmurë me sëmundjen neurologjike të njohur si “Sindroma e Havanës”, kanë raportuar mediat amerikane.

Tre diplomatë janë sëmurur në qytetin zviceran, dhe një tjetër në kryeqytetin francez verën e kaluar. Rreth 200 persona janë prekur nga kjo sëmundje në pesë vjet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Qeveria amerikane është duke punuar për të gjetur thelbin e këtij misteri.

Ka shqetësime se ndonjë kundërshtar mund të ketë shënjestruar diplomatët me mikrovalë. Blinken ka thënë se çështja është diskutuar me Rusinë, mirëpo nuk është arritur te ndonjë përfundim.

Lexo më shumë  Kryeministri suedez deklaron se Deti Baltik tani është “në rrezik të lartë” pas sabotimit të dyshuar me kabllo

Sindroma e Havanës është identifikuar fillimisht në Kubë, më 2016, dhe ka prekur diplomatë amerikanë, spiunë dhe pjesëtarë të familjeve, si dhe një numër të stafit diplomatik kanadez, të angazhuar në Kubë.

Disa persona që kanë përjetuar Sindromën, janë përballur me marramendje dhe lodhje për muaj të tërë. Në mesin e rasteve të fundit përfshihet një person, i cili është evakuuar nga Zvicra në Shtetet e Bashkuara për t’u trajtuar, kanë raportuar mediat.

Blinken ka thënë për mediat amerikane se ai ka biseduar me punëtorë që kanë përshkruar sëmundjen e tyre dhe se si u ka ndërruar jeta. Ai ka thënë se njerëzit janë “prekur drejtpërdrejt dhe fuqishëm”.

Lexo më shumë  Ushtarët rusë po vdesin masivisht në Ukrainë

“Deri më tani ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, dhe nuk e dimë saktësisht se kush është përgjegjës”, ka thënë ai. “Ne jemi duke punuar vazhdimisht për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës”, ka thënë ai.

Rusia, Kina dhe vetë Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se kanë bërë hulumtime rreth mikrovalëve për qëllime ushtarake, mirëpo Moska ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur “armë me mikrovalë” kundër misioneve amerikane.

Rruga Press

YouTube player