GLPS: Qytetarët e Kosovës i besojnë më shumë Policisë se institucioneve të tjera të drejtësisë
Reneta Bajrami nga GLPS ka prezantuar perceptimin e qytetarëve për iniciativën e Qeverisë së Kosovës për reformimin e sistemit të drejtësisë duke e përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nismë ligjore për konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme.
Sa i përket ndikimit politik në institucionet e drejtësisë për vitin 2022, 62.5 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, ka thënë ajo, duke shtuar se vetëm 22.7 prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë përpara drejtësisë.
“Në krahasim me vitin e kaluar, trendi është negativ, pasi që kemi një ngritje prej 2.5. për qind të qytetareve që mendojnë se politikanët janë të pandëshkueshëm dhe shikuar si tërësi, ky indikator tregon se mbi 60 për qind e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia. Sipas të dhënave të raporti, vërehet se 70 për qind e qytetareve i besojnë më së paku Gjykatave dhe Prokurorive sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika. Ndërsa organet më pak të influencuara politikisht i konsiderojnë Policinë e Kosovës 17.4 për qind, si dhe Eulex-in me 10.4 për qind. 46.8 për qind e të anketuarve besojnë se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo dukuri”, ka shtuar tutje.
Për nga efektiviteti në luftën kundër korrupsionit, sipas të anketuarve, Policia e Kosovës me 53.2 për qind është institucioni më efektiv në luftimin e kësaj dukurie negative. Ndërsa 4.7 për qind e qytetarëve mendojnë se Gjykatat janë efektive në luftën kundër korrupsionit dhe Prokuroria me vetëm 6.3 për qind, thuhet në raportin e prezantuar të GLPS-së.
“Qytetarët së pari do të zgjidhnin të raportonin në Polici me 90.9 për qind e vetëm 0.4 për qind në Prokurori. Në krahasim me vitin e kaluar, përsëri institucioni më i besueshëm për qytetarët për të raportuar në rast korrupsioni apo krimit mbetet Policia e Kosovës me një rritje prej 12.3 për qind”.
Liridon Salihu po ashtu nga GLPS, ka thënë se nga anketa e realizuar në parashtrimin e pyetjes se a kanë parë qytetarët përmirësim në gjyqësor gjatë vitit 2022, vërehet që mbi 50 për qind e tyre kanë e kanë theksuar se nuk kanë vërejtur përmirësim të gjyqësorit.
“Këtë vit, kemi trend negativ, krahasuar me vitin e kaluar sa i përket mendimit të qytetarëve se a është përmirësuar sistemi i drejtësisë në vendin tonë apo jo. Për vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, nga mesatarja e përgjigjeve të të anketuarve del që kjo iniciativë është vlerësuar me notën 3.6. Gjykatat kanë arritur që të zgjedhin rreth 31 për qind të lëndëve që i kanë pasur në punë. D.m.th. me një trend të tillë, Gjykatave u duhen edhe tri vite për t’i përfunduar të gjitha lëndët që i kanë në punë me kusht që nuk pranojnë lëndë të reja. E njëjta vlen edhe te Prokurori i shtetit”, ka deklaruar ai.
Ndërsa për zgjidhjen e lëndëve dhe karshi atyre që i ka pranuar gjatë vitit 2022 është vërejtur që zyra e kryeprokurorit të shtetit dhe Prokuroria e Apelit kanë treguar efikasitet 100 për qind ndërsa më pak efikasitet kanë treguar Prokuroritë Themelore dhe Prokuroria e Apelit me 75 për qind.
“As 2 për qind e totalit të buxhetit të Kosovës nuk i kushtohet sistemit të drejtësisë”, shtoi ai.
Rruga Press