‘Gjyqi’ i Moskës në Bruksel, Borrell: Çdo agresion i Rusisë ndaj Ukrainës do përballet me kosto të larta
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen të hënën në Bruksel.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell tha për mediet përpara fillimi të takimit se fokusi i mbledhjes do të jetë kufiri mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Ne do të përçojmë një sinjal të qartë, çdo agresion i Rusisë kundër Ukrainës do të sjellë kosto të larta për Federatën ruse, po përpiqemi që të bëjmë më të mirën që kjo të mos ndodhë.”
Borrell tha gjithashtu se në mbledhjen e së hënës nuk do të merreshin masa konkrete lidhur me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Ai tha se sanksionet ndaj Moskës, do të merren në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, gjithmonë nëse Rusia organizon një pushtim të mundshëm në Ukrainë.
Kohët e fundit, tonet e vendeve anëtare të BE-së, SHBA-ve apo NATO-s kanë qenë të ashpra ndaj Rusisë, pasi mijëra trupa separatistësh rusë kanë shkuar pranë kufirit të Ukrainës.
BE, SHBA e NATO kanë deklaruar se nëse Rusia pushton Ukrainën do të përballet me pasoja serioze.
Rruga Press