Gjykata tjetër “shuplakë” për Donald Trump, nuk lejohet refuzimi i rezultatit nga Mike Pence
Një gjykatës amerikan e ka refuzuar padinë e dorëzuar nga një kongresmen republikan, me të cilën kërkohej që nënpresidentit Mike Pence t’i lejohet refuzimi i rezultatit të votave në Kolegjin Zgjedhor, kur Kongresi të zhvillojë takim të mërkurën për certifikimin e fitores së Bidenit ndaj Trumpit.
Përpjekja e fundit e aleatëve të presidentit në largim brenda Partisë Republikane për rrëzimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit u hodh poshtë nga një gjykatës që ishte caktuar në detyrë nga vetë Trumpi, Jeremy Kernodle.
Ai vendosi që Përfaqësuesi Amerikan Louie Gohmert i Teksasit dhe një listë e zgjedhësve Republikanë nga Arizona nuk mund të tregonin se kishin pësuar ndonjë dëm personal nga sjellja e pretenduar e paligjshme e Pence dhe, për këtë arsye, nuk kishte pozitë ligjore për të ngritur çështjen.
Gohmert, tha: “Ky vendim është shembull kur institucionet që kushtetuta jonë i ka krijuar për të zgjidhur mosmarrëveshje, në mënyrë që të mos kemi kryengritje dhe dhunë në rrugë, ato shkojnë në rrugën e gabuar”.
Trump ka refuzuar që ta pranojë humbjen në zgjedhje dhe vazhdimisht ka pretenduar pa fakte se gjatë garës ka pasur manipulime.
Ai dhe aleatët e tij kanë humbur dhjetëra raste në gjykata në përpjekje për ta zhbërë rezultatin zgjedhor, i cili fitoren ia jep në mënyrë bindëse demokratit Joe Biden.
Sipas rezultatit të Kolegjit Zgjedhor, i cili përcaktohet në masë të madhe nga numri i përgjithshëm i votave popullore, Bideni ka 306 vota, ndërsa Trumpi vetëm 232.
Joe Biden do të betohet në postin e presidentit të ri më 20 janar.
Rruga Press