“Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të lëshojë urdhër-arrest për Putinin”
Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) duhet të lëshojë një urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin, ka thënë ish-prokurorja e krimeve të luftës, Carla Del Ponte.
“Putini është një kriminel lufte”, tha Del Ponte në një intervistë me të përditshmen Le Temps.
Del Ponte, e cila gjithashtu shërbeu për vite në komisionin e OKB-së për hetimin e abuzimeve të të drejtave në luftën e Sirisë, theksoi se lëshimi i një urdhër-arresti do të ishte një sinjal i rëndësishëm “që puna hetimore është kryer”.
“Është i vetmi instrument që ekziston që bën të mundur arrestimin e autorit të një krimi lufte dhe sjelljen e tyre para GJNP-së”, ka deklaruar ajo.
Del Ponte pranoi se një urdhër-arrest nuk do të thoshte domosdoshmërisht se Putini do të mbahej në paraburgim.
“Nëse ai qëndron në Rusi, nuk do të ndodhte kurrë. Por do të ishte e pamundur që ai të largohej nga vendi i tij dhe do të ishte një sinjal i fortë se ai ka shumë shtete kundër tij”.
Rruga Press