Gjykata i vazhdon paraburgimin Fatmir Shehollit, i arrestuar për spiunazh
Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Fatmir Shehollit i dyshuar për spiunazh.
Vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Shehollit e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”- thuhet në përgjigjjen e zëdhënëses Gashi.
“Paraburgimi sipas këtij Aktvendimi të pandehurit F.SH. i llogaritet prej datës 09.01.2026 deri me datë 09.03.2026.”- thuhet më tej në përgjigjjen e Gashit të datës 09.01.2026.
Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 09.10.2025 nën dyshimet për spiunazh.
Ndaj tij më 10.10.2025 Gjykata e Prishtinës i kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Sheholli dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve të urdhrave të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiç.
Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Detyrat e Shehollit sipas Prokurorisë Speciale ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.
Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik.
Në vëzhgimet direkte sipas dosjes së prokurorisë është zbuluar edhe një skemë ku Sheholli ka pranuar informacione nga BIA të cilat më pas janë publikuar në media në Kosovë.
Këto të dhëna pastaj, sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se i ka përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s, përmes komunikimeve telefonike.
Rruga Press

