Gjykata e Apelit në Serbi refuzon ankesën e Ragmi Mustafit për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve nga Aleksandar Vulin
Gjykata e Apelit në Serbi e ka refuzuar ankesën e Ragmi Mustafit, si të pabazuar, ngritur ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, për gjuhën e urrejtjes dhe raciste të përdorur ndaj shqiptarëve në Serbi.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, ka treguar se nga qershori i vitit 2019 është në betejën për drejtësi, kundër siç e ka quajtur ai, “institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”.
“Aleksandar Vullin i cili atëherë ishte ministër i Mbrojtjes të Republikës së Serbisë, është jo vetëm nxitësi institucional i diskursit ksenofob, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, sinonim i shqiptarofobisë”, ka shkruar Mustafi.
Ai i ka bërë thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së që të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe të parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi.
“..sepse lirimi i ministrit Vullin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, “legalizon”, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”, shkruan Mustafi.
Ragmi Mustafi ka thënë se lëndën do ta dorëzoj në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, si hallka e fundit e gjyqësorit, ndërsa ka paralajmëruar se çështjen do të paraqesë edhe në Strazburg.
“Tashmë kemi ndjekur këtë proces në të gjitha instancat e gjyqësorit, e më pas dërgojmë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg. Për drejtësi. Deri në fitoren përfundimtare”, ka shkruar në fund Mustafi, në postimin e tij në të cilin bashkëngjit edhe vendimin që për rastin ka lëshuar gjykata në Serbi.
Rruga Press