Gjuha e shfrenuar antiperëndimore e Patriarikut serb Porfirije në Moskë
Shkruan Enver Robelli
Pas vizitës në Pejë, Patriarku serb Porfirije vrapoi te Putini. Sundimtari i Rusisë e priti në Kremlin, Porfirijen, i cili shoqërohej nga Patriarku rus Kirili. Porfirije foli si i deleguar i presidentit serb Vuçiq në Moskë dhe si zëdhënës i nacionalizmit serbomadh. Kreu i Kishës Ortodoske Serbe kritikoi ashpër Perëndimin. Porfirije foli për ndikimin negativ që – sipas tij – Perëndimi ushtron ndaj popullit serb dhe ortodoksisë.
“Nuk është e lehtë. Edhe tek ne këto ditë po ndodh një lloj revolucioni. Si quhet ai – i ngjyrosur?” pyeti ai, duke kërkuar përkthim të fjalës ruse të cilën e përdor pushteti në Rusi për të përshkruar ndikimet e huaja dhe destabilizimin. Peshkopi serb Irinej i ndihmoi Porfirijes dhe u përgjigj: “Revolucion me ngjyra”.
“Shpresoj ta kapërcejmë këtë sprovë. Sepse qendrat e pushtetshme në Perëndim nuk duan që populli serb të zhvillojë identitetin dhe kulturën e vet. Faleminderit, zoti president, për mbështetjen. Zoti ju dhëntë forcë dhe urtësi. Lutjet tona janë me ju,” tha Porfirije. Pastaj ndërhyri Patriarku rus Kirili me fjalë po ashtu të ashpra: “Por ajo që po ndodh sot me moralin njerëzor, me moralitetin në Perëndim – do ta them me zë të lartë, nuk kam pse të turpërohem – është e gjitha djallëzore”. Porfirije pohoi me kokë. Ai aludoi se Perëndimi jo vetëm po mbështet protestat në Serbi, por gjoja po pengon edhe zhvillimin e identitetit serb. Pas falënderimeve gjunjëzuese ndaj Putinit për përkrahjen e Serbisë në luftimin e pavarësisë së Kosovës, Porfirije shprehu dëshirën që populli serb të jetë pjesë e “botës ruse”. Pa Rusinë dhe Kinën, tha Porfirije, populli serb nuk ka perspektivë.
Nëpërmjet Patriarkut Porfirije lideri rus i dërgoi porosi Vuçiqit se e pret në paradën e 9 majit në Moksë në 80-vjetorin e fitores mbi nazifashizmin. Vuçiq paralajmëroi se do të jetë në Moskë. Kësisoj ai tregoi se nuk i merr parasysh vërejtjen e Bashkimit Europian se nuk duhet të vizitojë Moskën më 9 maj. Patriarku Porfirije e përshkroi Serbinë si një lundër të lidhur me anijen e madhe ruse.
Para se të bëhej Patriark serb, Porfirije ka qenë mitropolit i Zagrebit. Atje prezantohej si përkrahës dhe adhurues i dialogut, tregonte se në rini ka qenë roker. Disa politikanë dhe intelektualë kroatë me prirje projugosllave-majtiste syhapur ranë në kurthin e tij, duke i thurur elozhe.
Porfirije e përmendi në Moskë sidomos Malin e Zi si pjesë të botës serbe. Roli i Kishës Ortodokse në këtë vend është rritur dukshëm dhe paraqet rrezik për identitetin shtetëror malazez pasi kryeministri i dikurshëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me një akt të paprecedent nënshkroi një marrëveshje me Porfirijen për t’ia kthyer kishës serbe pronat në Mal të Zi.
Rruga Press