Bota

GJND urdhëron Izraelin të hapë më shumë vendkalime tokësore për dërgimin e ndihmave në Gaza

Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara urdhëroi të enjten Izraelin të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, duke përfshirë hapjen e më shumë vendkalimeve tokësore për të lejuar furnizimet me ushqim, ujë, karburante dhe pajisje mjekësore të hyjnë në enklavën e shkatërruar nga lufta.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi dy të ashtuquajtura masa të reja të përkohshme, në një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për akte gjenocidi në fushatën e tij ushtarake të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi. Izraeli mohon se po kryen gjenocid dhe akuzon Afrikën e Jugut se po përpiqet të “dëmtojë të drejtën dhe detyrimin e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij”.

Urdhri i së enjtes pasoi kërkesat e Afrikës së Jugut për më shumë masa të përkohshme, përfshirë një armëpushim, për shkak të urisë në Gaza. Izraeli, i cili i kishte kërkuar gjykatës të mos lëshonte urdhra të rinj, tha se nuk vendos kufizime për ndihmën që hyn në Gaza dhe u zotua për “nisma të reja” për të lejuar më shumë ndihma në territor.

Në urdhrin e saj ligjërisht të detyrueshëm, gjykata i tha Izraelit të marrë masa “pa vonesë” për të siguruar “ofrimin e papenguar” të shërbimeve themelore dhe ndihmës humanitare, duke përfshirë ushqimin, ujin, karburantin dhe furnizimet mjekësore.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Gjykata urdhëroi gjithashtu Izraelin që menjëherë të sigurohet që ushtria e tij të mos ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë të drejtat e palestinezëve, duke përfshirë parandalimin e dhënies së ndihmës humanitare.

Gjykata i kërkoi Izraelit që të raportojë brenda një muaji për zbatimin e urdhrave.

Lufta pasoi një sulm të përgjakshëm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, në të cilin 1200 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng. Izraeli u përgjigj me një fushatë sulmesh ajrore dhe një fushatë tokësore që kanë lënë të vrarë mbi 32,000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve, por thotë se afërsisht dy të tretat e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Izraeli thotë se mbi një e treta e të vrarëve janë militantë, megjithëse nuk ka ofruar prova për të mbështetur pretendimin, dhe fajëson Hamasin për viktimat civile sepse, sipas tij, grupi vepron në zona të banuara.

Luftimet kanë çuar në zhvendosjen e mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës, kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe një krizë humanitare. OKB-ja dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës thonë se pothuajse e gjithë popullata e Gazës po lufton për të siguruar ushqim të mjaftueshëm, me qindra mijëra njerëz në prag të urisë, veçanërisht në Gazën veriore të goditur rëndë.

Afrika e Jugut mirëpriti vendimin e së enjtes, duke e quajtur atë “domethënës”.

“Fakti që vdekjet e palestinezëve nuk shkaktohen vetëm nga bombardimet dhe sulmet tokësore, por edhe nga sëmundjet dhe uria, tregon nevojën për të mbrojtur të drejtën e grupit për të ekzistuar”, tha presidenti i Afrikës së Jugut në një deklaratë.

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

Hamasi, një grup militant islamik i betuar për shkatërrimin e Izraelit, tha se vendimi duhet të zbatohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Ministria e Jashtme palestineze falënderoi Afrikën e Jugut, duke e quajtur rastin “një hap jetik në përpjekjet globale për ta mbajtur Izraelin përgjegjës për kryerjen e gjenocidit”.

Ministria e Jashtme izraelite akuzoi Afrikën e Jugut për “përpjekje cinike” për të shfrytëzuar gjykatën botërore për të dëmtuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe lirimin e pengjeve. Izraeli thotë se Hamasi vazhdon të mbajë rreth 100 pengje dhe trupat e 30 të tjerëve, ose të vrarë më 7 tetor ose që vdiqën në robëri.

Gjykata tha në urdhrin e saj se “palestinezët në Gaza nuk po përballen më vetëm me rrezikun e urisë … por uria ka filluar “. Ajo citoi një raport nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare, sipas të cilit, të paktën 31 veta, përfshirë 27 fëmijë, kanë vdekur tashmë nga kequshqyerja dhe dehidrimi”.

Rruga Press

YouTube player