Gjimshiti vjen me një mesazh të jashtëzakonshëm: Krenari të jem kapiten i kësaj Kombëtareje, Shqipëria ka të ardhme dhe ky është vetëm fillimi
Berat Gjimshiti ka udhëhequr Shqipërinë në tre ndeshje të Euro 2024 si kapiten.
Lideri i mbrojtjes kuqezi ka shkëlqyer në të gjitha paraqitjet e tij, derisa ishte një kapiten shembull si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
Pas eliminimit të Kombëtares së Shqipërisë, Gjimshitii ka bërë një postim fantastik në rrjetet sociale, duke falënderuar edhe tifozët për përkrahje.
Qendërmbrojtësi ka thënë se ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm që nga kualifikimet deri në ndeshjet e Euro 2024.
31-vjeçari ka thënë se të jetë kapiten i Kombëtares së Shqipërisë është krenaria më e madhe e tij.
“Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që nga kualifikueset deri në Kampionatin Evropian. Treguam karakter si Kombëtare duke u paraqitur në fushë si të barabartë me gjigantë evropianë, por që na mungoi edhe fati për të arritur më shumë”.
“Të jem kapiten i Kombëtares në një Evropian, është krenaria më e madhe për mua dhe t’i udhëheq këta bashkëlojtarë të mrekullueshëm ka qenë diçka unike. Dua t’i falënderojë tifozët më të mirët në botë, tifozët Kuq e Zi që nuk na kanë lënë vetëm në asnjë moment duke na përkrahur me të gjitha mënyrat, por një falënderim edhe më i madh për ta është se treguan kulturë të lartë sportive, duke bërë që e gjithë Evropa të flasë mirë për ta dhe për kombin shqiptar”.
“Kombëtarja ka të ardhme të ndritur dhe ky është vetëm një fillim i gjërave edhe më të mëdha që na presin. Përgjithmonë Kuq e Zi, Forca Shqipëria ime”, ka shkruar Gjimshiti.
Rruga Press