Gjermania s’e komenton raportimin për komplotin për vrasjen e shefit të firmës kryesore të mbrojtjes
Qeveria gjermane ka njoftuar të premten se “nuk do të frikësohet” nga përpjekjet ruse për ta minuar mbështetjen e vendit ndaj Ukrainës, por ka refuzuar të komentojë një raport që Moska planifikoi të vriste shefin ekzekutiv të firmës më të madhe gjermane të mbrojtjes, “Rheinmetall”.
CNN-i të enjten, duke cituar pesë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë dhe perëndimorë, ka raportuar se inteligjenca amerikane në fillim të këtij viti ka zbuluar se Rusia kishte planifikuar të vriste shefin ekzekutiv të “Rheinmetalli-t”, Armin Papperger. Sipas raportit, SHBA-ja e ka informuar Gjermaninë, shërbimet e sigurisë të së cilës e kanë mbrojtur Pappergerin dhe e kanë parandaluar vrasjen.
Edhe pse Ministria e Brendshme e Gjermanisë refuzoi të komentojë, ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, u duk se e konfirmoi atë.
“Duke pasur parasysh raportet e fundit mbi Rheinmetall, kjo është ajo që ne në fakt kemi thënë gjithnjë e më qartë gjatë muajve të fundit”, u tha ajo gazetarëve në samitin e NATO-s në Washington.
“Rheinmetall” është furnizues kryesor i teknologjisë ushtarake për Ukrainën, raporton Associated Press.
As “Rheinmetall” dhe as qeveria gjermane nuk kanë komentuar për raportimin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Maximilian Kall, ka theksuar se Ministria nuk mund të komentojë mbi situatat e kërcënimit individual, por ka shtuar se ata “do ta marrim shumë seriozisht kërcënimin e rritur ndjeshëm nga agresioni rus”.
Ai ka vënë në dukje se masat gjermane të sigurisë janë rritur ndjeshëm që nga viti 2022 dhe se “kërcënimet variojnë nga spiunazhi dhe sabotimi, përmes sulmeve kibernetike, deri te terrorizmi shtetëror”.
Në prill, hetuesit gjermanë arrestuan dy burra gjermano-rusë të dyshuar për spiunazh, njëri prej tyre i akuzuar se kishte rënë dakord të kryente sulme ndaj objektivave të mundshëm, përfshirë objektet ushtarake të SHBA-së, me shpresën për të sabotuar ndihmën për Ukrainën.
Gjermania është bërë furnizuesja e dytë më e madhe e armëve për Ukrainë pas Shteteve të Bashkuara që kur Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë më shumë se dy vjet më parë.
CNN-i ka raportuar se komploti i supozuar për vrasjen e Pappergerit ishte një nga një seri planesh ruse për të vrarë drejtuesit e industrisë së mbrojtjes në të gjithë Evropën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov hodhi poshtë raportimin. Ai ka theksuar se e gjithë kjo situatë është e rreme dhe se raportet e tilla nuk duhet të merren seriozisht.
Rruga Press