KryesoreLajme

Gjermania premton rritje të bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë

Para një muaji, në Kosovë kanë mbërritur 15 kamionë ushtarakë nga Gjermania. Dhjetë janë blerë nga FSK-ja e pesë kanë qenë donacion. Për këta kamionë të dhuruar, të enjten në kazermën “Adem Jashari” është organizuar një ceremoni në të cilën ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, ka theksuar se bashkëpunimi midis Kosovës dhe vendit të tij në fushën e sigurisë do të vazhdojë që të thellohet

Për pesë kamionë ushtarakë, të cilët janë donacion nga shteti i Gjermanisë, të enjten është organizuar një ceremoni e veçantë në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Kontingjenti prej 15 kamionësh, përfshirë 10 të blerë nga Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK), ka mbërritur në Kosovë para një muaji, kur këtë e patën njoftuar kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Atë ditë është inauguruar edhe Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike. E të enjten është bërë dorëzimi i çelësave të 5 kamionëve të dhëna donacion.

Ata i kanë pranuar ushtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës nga ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rhode. 

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Ambasadori Rhode ka thënë se kamionët e markës “Rheinmetall” janë të teknologjisë së fundit, gjersa ka shtuar se bashkëpunimi me FSK-në po rritet dita-ditës.

“Marrëdhëniet gjermano-kosovare janë të shkëlqyera dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me FSK-në po bëhet edhe më i afërt, veçanërisht në fushën e sigurisë. Së shpejti pritet që të nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi dhe përmes zëvendës atasheut ushtarak tani do të kemi një prezencë ushtarake të përhershme”, ka thënë Rhode.

Ambasadori gjerman ka treguar edhe për qëllimin e këtij donacioni.

“Qëllimi i kësaj mase është mbështetja për kapacitetet e operacioneve fillestare për kompaninë e transportit e regjimentit logjistik”, ka theksuar Rhode.

E ministri Maqedonci ka falënderuar ambasadorin dhe shtetin gjerman teksa ka thënë se për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes bashkëpunimi me Gjermaninë do të vazhdojë.

“2.7 milionë eurot që pranuam sot, janë në vazhdën e donacioneve prej 3 milionë e 500 mijë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë. Mbështetja me automjete ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës është vetëm njëra nga fushat ku Gjermania kontribuon ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë”, ka thënë Maqedonci.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Serbia “HX3” e kamionëve “Rheinmetal” është prodhuar në bashkëpunim me kompaninë e njohur “MAN” dhe shërbejnë kryesisht për operacione logjistike dhe taktike. Në ta mund të montohet edhe artileri kundërajrore. Ata arrijnë një shpejtësi deri në 80 kilometra në orë dhe janë të përshtatshëm për terrene të vështira. 

Serisë “HX3” i kanë paraprirë modelet “HX” dhe “HX2”. Ajo “HX3”, të cilën e ka pranuar Kosova si donacion, për herë të parë u zbulua në maj të vitit 2021. Kamionët e dhuruar nga Gjermania gjithashtu mund të përdoren për mbrojtje ajrore. Por në të duhet të montohet sistemi “Skyranger 30”.

Sistemi kundër-ajror duhet të blihet veçmas nga kamionët. Nuk ka pasur njoftim që Kosova e ka blerë edhe këtë sistem së bashku me kamionët.

Të këtillë kamionë shteti i Gjermanisë i ka dhuruar edhe Ukrainës për ta përballuar invazionin rus.

YouTube player