Berlini ndalon furnizimin ushtarak për Izraelin pas ofensivës së re në Gaza
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka njoftuar të premten se Berlini do të pezullojë miratimin e çdo eksporti të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren nga Izraeli në Rripin e Gazës, deri në një vendim të ri. Ky veprim vjen si reagim ndaj planit të qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet ushtarake në këtë enklavë, raportoi The Guardian.
Merz theksoi se Gjermania e njeh të drejtën e Izraelit për të çarmatosur Hamasin dhe për të kërkuar lirimin e pengjeve. Megjithatë, ai paralajmëroi se një ofensivë edhe më e ashpër, siç është vendosur nga kabineti izraelit, e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e këtyre objektivave.
Sipas Reuters, kancelari sqaroi se, “në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të miratojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në njoftimin e radhës”. Ai shtoi se prioritetet kryesore të Berlinit mbeten lirimi i pengjeve dhe arritja e një armëpushimi, ndërsa shprehu shqetësim të thellë për vuajtjet e civilëve në Gaza.
Të dhënat zyrtare të Bundestagut tregojnë se midis 7 tetorit 2023 dhe 13 majit 2025, Gjermania ka miratuar leje eksporti të pajisjeve ushtarake drejt Izraelit me vlerë 485 milionë euro.
Rruga Press

