Gjermania akuzon Rusinë për dezinformimin dhe sulmin kibernetik të vitit 2024
Gjermania ka akuzuar Rusinë për një sulm kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror dhe për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhje, dhe e ka thirrur ambasadorin rus, raporton BBC.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se inteligjenca ushtarake ruse qëndronte pas një “sulmi kibernetik kundër kontrollit të trafikut ajror gjerman në gusht 2024”.
Zëdhënësi ka akuzuar gjithashtu Rusinë se u mundua të ndikonte dhe të destabilizonte zgjedhjet federale në shkurtin e këtij viti.
Ai ka theksuar se Gjermania, në koordinim të ngushtë me partnerët e europianë, do të përgjigjet me kundërmasa që ta bëjë Rusinë “të paguajë një çmim për veprimet e saj hibride”.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Rusia.
Zëdhënësi ka theksuar se sulmi kibernetik i gushtit 2024 mund t’i atribuohet grupit të hakerëve rusë, “Fancy Bear”.
“Gjetjet tona të inteligjencës vërtetojnë se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU mban përgjegjësi për këtë sulm”, ka shtuar ai.
Zëdhënësi i Ministrisë ka shtuar se tani ishte e sigurt se Moska ishte përpjekur të “ndikonte dhe destabilizonte si zgjedhjet e fundit federale, ashtu edhe punët e brendshme vazhdimisht në Republikën Federale të Gjermanisë” përmes një fushate dezinformimi të quajtur “Stuhia 1516”.
Fushata, thekson Ministria, ishte përqendruar pjesërisht te kandidati kryesor i Partisë së Gjelbër, Robert Habeck, dhe kandidati kryesor i CDU-së, Friedrich Merz, i cili tani është kancelar.
Qeveria gjermane ka theksuar se agjencitë e sigurisë kishin identifikuar video të rreme që pretendonin manipulimin e fletëvotimeve si pjesë e një përpjekjeje ruse për dezinformim vetëm disa ditë para zgjedhjeve.
“Fancy Bear” thuhet se më parë ka zbuluar të dhëna të Agjencisë Botërore Antidoping dhe luajti një rol kyç në sulmin kibernetik të vitit 2016 ndaj Konventës Kombëtare Demokratike të SHBA-së, sipas ekspertëve të sigurisë.
Akuzat e fundit vijnë mes shqetësimeve të shtuara në Europë për sulmet e dyshuara kibernetike ruse qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
Ndërsa ende nuk i është përgjigjur akuzave të fundit, Moska më parë ka mohuar akuzat europiane për një sabotim rus ose fushatë hibride.
Rruga Press

