Gjermanët e çmendur pas futbollit ia kthejnë shpinën Kupës së Botës
Zakonisht kur vjen Kupa e Botës, gjermanët me krenari mbajnë flamurin e vendit të tyre dhe e mbështesin me entuziazëm ekipin e tyre. Mirëpo jo këtë herë. Kushdo që ecën nëpër Berlin këtë javë do të ketë vështirësi të vërejë ndonjë shenjë të zjarrtë të Kupës së Botës. Nuk ka flamuj, nuk ka shenja, nuk ka ngjarje të shikimit publik. Pra asnjë tregues se rruga e vendit të çmendur për futbollin dhe për titullin e pestë të botës do të fillojë me një ndeshje kundër Japonisë të martën. Qëndrimi i Katarit për të drejtat e njeriut dhe trajtimi i punëtorëve emigrantë kanë prishur festën për shumë njerëz.
“Ne nuk duam të shijojmë një Kupë Bote si kjo”, tha Bernd Beyer nga nisma “Boycott Katar 2022”. “Tifozët nuk identifikohen me të dhe thonë se nuk duan të kenë asnjë lidhje me të”.
Pati protesta të shumta kundër turneut gjatë ndeshjeve të Bundesligës dhe të kategorisë së dytë, gjatë fundjavave të fundit, me tifozët që mbanin pankarta për situatën e të drejtave të njeriut në Katar.
Mungesa e entuziazmit ka pasur gjithashtu një ndikim komercial. Shitësit me pakicë kanë përfituar më parë nga zhurma rreth turneve të mëdha me ofertat e lidhura me ekipin gjerman. Ish-trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew dhe lojtarët e tij mund të shiheshin kudo duke promovuar mallra dhe shërbime të ndryshme. Këtë herë, Shoqata e Shitësve të Sporteve Gjermane, thotë se shitjet e artikujve të tifozëve janë shumë më pak në krahasim me vitet e mëparshme të Kupës së Botës.
“Deri më tani nuk është as gjysma e asaj që zakonisht shitet në dyqane në ngjarje të mëdha të këtij lloji”, tha presidenti i shoqatës, Stefan Herzog.
Kompania e veshmbathjeve sportive “Adidas”, tha se kërkesa për fanellat e Gjermanisë ishte e ulët dhe se fanella më e kërkuar deri tani ishte ajo e Meksikës, e konsideruar nga disa si ndër fanellat më elegante të veshura nga 32 ekipet e Kupës së Botës. Shitjet e televizorëve, që përgjithësisht rriten për ngjarjet kryesore sportive, janë gjithashtu në rënie, raportoi RND.
Zëdhënësi i kancelarit Olaf Scholz, Steffen Hebestreit, u tha gazetarëve në Berlin të premten se udhëheqësi gjerman do të ndjekë ndeshjet e Gjermanisë nëse e lejon programi i tij. Ai tha se nuk do ta përjashtonte mundësinë që Scholz të udhëtonte në finale nëse Gjermania arrin kaq larg. I pyetur për planet e tifozëve për një bojkot, Hebestreit tha se “ky Botëror u dha dhe tani do të zhvillohet në rrethana të vështira”.
Klubet e Bundesligës, duke përfshirë Bayer Leverkusenin dhe Borussia Moenchengladbachun, kanë kritikuar vendimin për t’ia dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Kupës së Botës. Klubet njoftuan se do t’i kushtojnë hapësirë minimale ngjarjes në faqet e tyre të internetit dhe platformat e mediave sociale. Një tjetër klub, Hoffenheimi, thotë se nuk do të raportojë fare për turneun.
“Ka vetëm një mori gjërash që kanë ndodhur dhe po ndodhin atje që e lënë në hije gëzimin e madh të konkurrencës sportive”, tha Joerg Schmadtke, drejtori sportiv i klubit të Bundesligës, Wolfsburg.
Schmadtke tha se as nuk e di nëse do t’i shikonte ndeshjet në TV.
“Nuk më prek si vitet e kaluara, kur prisja me padurim një turne të tillë”, tha Schmadtke.
Tifozët gjermanë nuk janë të vetmit që duket se nuk janë të impresionuar nga Kupa e Botës e këtij viti. Federata e Futbollit e Belgjikës këtë javë hoqi dorë nga planet për të krijuar një zonë tifozësh për të ndjekur ndeshjet në ekranet e mëdha, duke përmendur mungesën e kërkesave. Edhe Parisi dhe qytetet e tjera franceze kanë hequr dorë nga një gjë e tillë.
Në Barcelonë, kryebashkiakja Ada Colau tha se nuk do të “përkushtonte burime publike dhe as hapësira publike për shikimin e një Kupe Botërore që po mbahet në një diktaturë”.
Në Gjermani, qindra bare po refuzojnë të shfaqin lojëra të Kupës së Botës. Midis tyre është edhe “Mit Schmackes” në Dortmund, në pronësi të fituesit të Kupës së Botës 2014, Kevin Grosskreutzit.
“Ne e duam futbollin dhe mund të themi gjithashtu se jetojmë me futbollin. Arsyet janë të qarta – kjo është arsyeja pse ne do të refuzojmë të transmetojmë ndeshjet e Kupës së Botës në Katar, edhe nëse kjo rezulton me humbje për ne”, tha Grosskreutz.
“Bar Fargo” në Berlin është një tjetër që nuk shfaq turneun.
“Unë kam shfaqur Kupën e Botës në ambientet e mia që nga viti 2006. Ato ishin gjithmonë ngjarje ku njerëzit mblidheshin bashkë, brohoritnim dhe festonim, përqafonim njëri-tjetrin. Me sfondin e këtij Botërori, ju nuk mund ta bëni më këtë me një ndërgjegje të pastër”, tha pronari Lennart Kloehn.
Rruga Press