Gjendja e Tiranës ku kryeministër është Rama
Editorial nga Elvis Hoxha
Rama shkon e takon Vuçiçin, të nesërmen asiston në mbledhjen e dy qeverive, qeverisë së tij dhe asaj të Kosovës. Vuçiçi niset të flasë me Putinin. Na duhet të reflektojëm se cila ëshët gjendja e mendimit shoqëror në të cilin ky veprim i kryeministrit ëshët i mundur.
Na thanë në fillim se duhet të mësonim të lexonim diagonalisht, të dallonim se ç’ka vlerë e çfarë jo. Por më vonë vumë re se do të nisnim të shkruanim të gjithë aq cekët sa të mund të lexoheshim vetëm diagonalisht. Subjektet u shndërruan në individë të përsëritshëm, duke humbur nevoja për aftësi specifike në funksione. Sot cilido mund të kryejë cilindo funksion.
Tanimë puna dhe funksionet duhet të jenë aq të ceketa, sa kur thuhet se dikush punon në fushën e mendimit, është krejt e mundur që dëgjuesi të shprehë hapur se nuk po e kupton arsyen e pagesës së kësaj pune. Përmes punës mendore bëmë të mundur kalimin nga puna fizike te puna absurde. Diçka ndodhi me mendimin kur atij iu kërkua të jetë i qetë. Aty ai nisi të hibridizohej me opinionin dhe të prodhonte një variant të tmerrshëm, steril në përmbajtje, por pjellor në shpërhapje.
Gjendja absurde ku na shtie ky hibrid shpie në institucione të cekët, ndaj dhe gradualisht, cilido që e ka ndërtuar dijen sistematikisht dhe seriozisht, për shkak të faktit se komunikimi në mjedisin e tij të punës nuk mbërrin kurrë në nivelin e tij, nis dhe ka turp nga dija e vet. Gjendja e institucioneve është tashmë një vdekje klinike e dijes kritike dhe interpretuese.
Reduktimet që pasojnë i vishen lehtësisht e cekët si virtyte dhe vese demokracisë. Kështu që është demokracia që keqkuptohet në të dy rastet, si për mirë dhe si për keq. Ngaqë nuk është më një gejndje shoqërore që nxit kritikën e përkufizimit të vet, ajo ndahet përjetë nga ndonjë procesi i kërkimit. Politikisht ndodh pra të gjendemi këtej e tutje në një gjendje shoqërore pa përkufizim.
Shoqëria pa përkufizim të mundshëm nuk ka më kurreshtje ideologjike, ndaj dhe mendon se subjektet politikë duhet të ngjajnë me çdo institucion privat të cekët apo publik, të gjithë të cekët tashmë.
Meqë shoqëria nuk ka më referenca politike në formë subjektesh apo referenca ideologjike në formë përfytyrimesh politike, ajo nuk ka më nevojë për forma arti që dikur prodhonin rezistencën kundër përfytyrimeve. Kështu që edhe arti zhduket nga mjedisi i qytetit.
Njeriu i lindur në këtë mungesë dhe në tepri komunikimi, nuk do të ndjejë asnjë mungesë, as në familje, as në arsim, as në shoqëri, as në institucione. Kështu që vdekja e praktikave të mendimit dhe jetës do të ndodhë krejt natyrshëm. Aq më natyrshëm, sa dhe artificiale ka qenë tërësia e institucioneve në shoqërinë tonë. Diktatura shtriu dijet dhe institucionet e saj, që u shkatërruan menjëherë pas saj ngaqë ishin vendosur artificialisht. Këtë e bëri gjendja fiktive demokratike. Por ajo vendosi në gjendjen e re të ndërgjegjës, të cilën mund ta quajmë gjendje të përgjithësuar pasive ndaj dijes dhe krijimit. Në kushte të tillë, çdo mbartës rastësor pushteti është mbajtësi arbitrar i dijes.
©Rruga Press