Gjendet trupi i 16-vjeçares ukrainase në Bucha, e dhunuar dhe e vrarë me plumb në kokë
Një adoleshente ukrainase është dhunuar dhe më pas qëlluar me armë në kokë nga ushtarët rusë në Bucha, sipas shoqërisë së saj, raporton “The Sun” të mërkurën.
Trupi i Karina Yershovas, 16 vjeç, është gjetur i hedhur në një kopsht në qytetin e Buchas.
Zbulimi i tmerrshëm, është i fundit në një varg zbulimesh, që sipas udhëheqësve botërorë përbëjnë gjenocid.
Sipas “The Sun”, shoqja e nënës së Yershovas, Olesya Vasylets ka shkruar në Facebook për fatin barbar të adoleshentes.
“Miq, lajm i tmerrshëm. Racistët kanë vrarë vajzën e shoqes sime, Karina Yershova. Dhimbja është e tmerrshme. Ajo është torturuar, dhunuar dhe më pas është vrarë me plumb në kokë. Sot nëna ime ka kuptuar që ajo është vrarë dhe ka krijuar një grup për ndihmë. Ju lutem, më ndihmoni ta varrosi. E njoh këtë fëmijë qe shumë vjet, ia mësova anglishten, ishte një vajzë shumë e talentuar”, ka shkruar Vasylets.
Yershova ishte zhdukur në fillim të muajit mars, ndërkaq më 10 mars nëna e saj ka kërkuar ndihmë në rrjetet sociale për gjetjen e saj.
Më shumë se 400 trupa janë gjetur të vrarë në Bucha, pak pasi Moska tërhoqi ushtrinë e saj nga ky vend dhe pjesa tjetër e rrethinës së Kievit.
Trupat ushtarake ruse kanë kryer dhunime dhe vrasje të civilëve, duke i lënë kufomat e gjymtuara të kalben dhe të gllabërohen nga qentë e egër në rrugë për ditë të tëra. Disa prej trupave nëpër rrugë janë vërejtur edhe nga pamjet satelitore.
Krimet në qytetin e Buchas, të cilat i pa me sytë e tij edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë një vizite atje, u shndërruan në mizoritë më të rënda të luftës në Ukrainë deri tani.
Zbulimi për dhunimin dhe ekzekutimin e adoleshentes, vjen pas një liste raportesh të barbarisë brenda Ukrainës nga ushtarët rusë, të cilët po e përdorin përdhunimin si instrument lufte.
Një bisedë telefonike mes një ushtari rus dhe bashkëshortes së tij ka shokuar opinionin, pasi ajo dëgjohej teksa i jepte atij leje që të dhunonte gratë ukrainase. Në bisedën telefonike të bërë publike, ajo e lut bashkëshortin ushtar “që të mbrohet” dhe “të mos i tregojë për veprimet e tij kur të kthehet në shtëpi”.
Një raport tjetër thekson se si një nënë ukrainase është kidnapuar dhe dhunuar për ditë të tëra nga ushtarë çeçen, para se të vritej me therje në qafë.
Ndërkaq edhe më shokues ishte rasti i një ushtari rus 24-vjeçar, i cili e kishte xhiruar veten teksa dhunonte një foshnje, derisa pamjet i ka publikuar edhe online.
“The Sun” shkruan se të rejat ukrainase po detyrohen t’i rruajnë flokët në mënyrë që të mos bien pre e përdhunimeve dhe vrasjeve.
Rruga Press