Uncategorized

Gjashtë komuna përfituese nga marrëveshja 4 mln euroshe për efiçiencë të energjisë në objekte publike

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka nënshkruar sot marrëveshje me katër komunat përfituese për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në 13 objekte publike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka theksuar se kjo marrëveshje kap shifrën e 3.8 milionë euro, e financuar tërësisht nga Qeveria e Kosovës.

Sipas saj, nuk ka asnjë dyshim që masat e efiçiencës kanë ulur konsumin e energjisë, madje ajo thotë se nga këto masa, kursimi i energjisë ka arritur në 80 për qind.

Komunat që do të jenë përfituese të kësaj marrëveshjeje janë Komuna e Lipjanit, Shtimes, Vitia, Podujeva, Istogu dhe Suhareka.

“Kjo është një vazhdimësi e projekteve që kemi pasur, deri më tani kemi realizuar 125 projekte të efiçiencës të energjisë ku kursimi i energjisë është deri në 80 për qind. Jam e lumtur që këto lloj projekte po i vazhdojmë për dallim të rundeve të kaluara të ndërtesave. Këtë radhë ndërtesat janë të financuara nga Qeveria e Kosovës, komplet kontrata e tyre. Deri më tani kemi pasur edhe masa të tjera të efiçiencës që nga subvencionimi i efiçiencës elektro shtëpiake”.

“Familjet përfituese të pajisjeve efiçiente kanë ulur konsumin e energjisë për 19 për qind. Nuk ka asnjë dyshim që masat e efiçiencës kanë ulur konsumin e energjisë, vlerësojmë që familjet kanë kursyer 27 milionë kilovat në orë. Ky investim që po bëhet sot është  në vlerë 3.8 milionë euro i financuar nga Qeveria e Kosovës përmes kësaj marrëveshje po i shtojmë projekte të reja. Në Istog kemi realizuar 6 ndërtesa publike dhe dy shkolla në vlerë 820 mijë euro”, ka thënë Rizvanolli.

Driton Hetemi, drejtor menaxhues i FKKE-së, tha se në sektorin rezidencial, përmes grantit nga Bashkimi Evropian, janë subvencionuar mbi 3000 familje për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre

“Përfituese nga këto projekte janë 6 komuna, nga të cilat Suhareka dhe Istogu kanë nënshkruar gjatë javës se kaluar për 4 projekte, kurse Podujeva, Lipjani, Vitia dhe Shtimja do të nënshkruajnë sot së bashku me ne në këtë ceremoni, për 13 projekte të reja. Rikujtojmë se për sa i përket projekteve në sektorin publik gjatë vitit 2023 dhe 2024 FKEE ka përfunduar 86 projekte të ngjashme, kryesisht shkolla, salla sportive, qendra të kulturës dhe objekte të tjera administrative, të financuara nga Qeveria e RKS, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Në anën tjetër, në sektorin rezidencial FKEE përmes grantit nga Bashkimi Evropian ka subvencionuar mbi 3000 familje për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre. Kurse, qe nga ky Dhjetor, kemi filluar punimet në 28 ndërtesa sociale shumë-banesore, në të cilat do të implementohen masat e efiçiencës së energjisë dhe nga të cilat do të përfitojnë rreth 785 familje në 13 komuna të ndryshme”, ka thënë ai./EO

YouTube player