Gjashtë hartat historike që shpjegojnë luftën Rusi-Ukrainë
Presidenti rus Vladimir Putin nisi të enjten pushtimin e Ukrainës pas disa javësh paralajmërimi nga Perëndimi se sulmi është i pashmangshëm. Pushtimi rus i Ukrainës erdhi pas disa vitesh tensionesh në rritje.
CNN ka përgatitur gjashtë harta që i ilustrojnë më së miri ngjarjet që çuan deri në fazën aktuale.
NATO-ja që nga Lufta e Ftohtë
Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë më shumë shtete janë pranuar në NATO, duke e shtyrë bllokun më shumë kah lindja.
Më 2008, NATO-ja deklaroi qëllimin që t’ia ofrojë anëtarësinë Ukrainës – dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ende kjo s’ka ndodhur, por Rusia ka konsideruar se me këtë lëvizje është kaluar vija e kuqe.
Harta poshtë tregon zgjerimin e NATO-s në Evropë. Më shumë shtete perëndimore ishin pranuar para vitit 1991, ndërsa ato me ngjyrë më të mbyllët u pranuan më pas.
Aneksimi i një pjese të Ukrainës
Në fillim të vitit 2014, protesta masive në kryeqytetin e Ukrainës rrëzuan presidentin e përkrahur nga Rusia pasi refuzoi të nënshkruante një marrëveshje historike politike dhe tregtare me Bashkimin Evropian. Rusia u kundërpërgjigj duke aneksuar Krimenë, afër Detit të Zi. Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim më 2015, dy palët s’kanë gjetur paqen.
Tensionet
Në tetë vjet që nga ajo kohë, Moska është akuzuar për luftëra të shumta ndaj Ukrainës, jo vetëm ushtarake. Taktikat e ndryshme për sulme kibernetike e presione ekonomike eskaluan së fundmi. Rusia për pak kohë grumbulloi më shumë se 150 mijë trupa përreth Ukrainës.
Teksa situata u tensionua në kufijtë e Ukrainës, NATO-ja ngriti nivelin e gatishmërisë, përderisa shumë shtete shtuan trupat për mbrojtje. Zhvillimi i këtyre ushtrive në shtetet e NATO-s shihen në hartën e mëposhtme.
Pushtimi rus
Më 21 shkurt, Putini ka thënë se i njeh zyrtarisht Republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainë.
Të enjten e 24 shkurtit, pushtimi nisi zyrtarisht me një seri bombardimesh. Harta tregon lokacionet e vendeve të cilat u sulmuan ndër të parat.
Rruga Press