Gjashtë gra ukrainase po e mësojnë procesin e çmontimit të minave në Pejë
Gjashtë gra ukrainase kanë filluar trajnimin e deminimit në Kosovë për të asgjësuar mjetet shpërthyese në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta.
Ato përbëjnë grupin e parë të çminuesve ukrainas që trajnohen nga MAT Kosova, pjesë e Grupit të kompanive PCM me bazë në Maltë.
Trajnimi po kryhet në Pejë dhe një prej instruktorëve është Artur Tigani. Ai po u mëson atyre në praktikë se si t’i asgjësojnë municionet e pashpërthyera. Dhe të tilla në vendin e tyre do të ketë mjaft pas përfundimit të luftës.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por nga disa pjesë është tërhequr duke minuar zonat.
Anastasiia Minchukova, 20 vjeç, është një prej atyre që po ndjek trajnimin. Thotë se ka “kërkesë të madhe për njerëzit që dinë të bëjnë çminim”.
“Unë po ëndërroj për paqen, për të fjetur në shtratin tim, pa u shqetësuar se do të shkoj në strehimoret e bombardimeve gjatë gjithë kohës”, tha ajo për AP. “Ne besojmë se ka shumë punë për të bërë. Unë mendoj se do të jem absolutisht e dobishme”, shtoi 20-vjeçarja që vjen nga Ukraina Qendrore.
Mes gjashtë ukrainaseve që po trajnohen për t’i bërë të pastra nga minuta fushat në vendin e tyre, është edhe një nënë e tre fëmijëve. Ajo është Yuliia Katelik, 38-vjeçare nga Kramatorsk.
“Si nënë e kuptoj që ka një problem dhe është mjaft serioz, sidomos për fëmijët. Tani jemi përballur me një problem të kontaminimit të lartë me lloje të ndryshme të mjeteve shpërthyese”, tha ajo.
Artur Tigani, trajner i deminimit ka përvojën e vendit të tij me minat.
“Është ende e freskët në kujtimet tona, edhe pse kanë kaluar rreth 23 vjet. Janë ende të freskëta kujtimet, vështirësitë kur filluam pastrimin e minave në Kosovë. Kështu që qendra e trajnimit është ndërtuar mbi përvojën tonë dhe është si përvojë e dorës së parë”, tha Tigani për AP./Koha.net/
Rruga Press