KryesoreLajme

Gërvalla takon Kallasin: Koha për vendime të guximshme – të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në BE

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Gërvalla në takim ka nënvizuar nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Përmbytjet, 2.5 miliardë dollarë dëme në 30 vite dhe asnjë i dënuar në 3 dekada, KLSH zbulon dështimin zinxhir të institucioneve në Shqipëri

Ajo theksoi se mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkretë, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.

Tutje, ministrja në detyrë ka ritheksuar se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën.

“Mbështetja për Republikën e Kosovës është një mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar.”

Ajo po ashtu ka thënë se prania dhe angazhimi i Kosovës në rajon është një burim i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë kontinentin. Në këtë drejtim, Gërvalla u shpreh se tani është koha për vendime të guximshme dhe për një vizion të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij.

Rruga Press

YouTube player