KryesoreLajme

Gërvalla në ‘La Sapienza’: Integrimi i Kosovës në BE, nevojë strategjike

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja me detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me studentët e Shkencave Politike të Universitetit “La Sapienza” në Romë, një prej institucioneve më të vjetra dhe më prestigjioze akademike në Evropë.

Siç njofton Ministria e Jashtme e Kosovës, gjatë këtij takimi me studentë, ministrja Gërvalla ka prezantuar rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, përkushtimin e vendit ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe rolin që Kosova luan në arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë. Ministrja Gërvalla theksoi se, si “shtet i ri, me një shoqëri të re dhe dinamike, ne jemi të përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve evropiane, prandaj integrimi i Kosovës në BE nuk është vetëm aspiratë e jona, por edhe nevojë strategjike për vetë Bashkimin Evropian”.

Lexo më shumë  Profesori amerikan: Serbia burim problemesh në rajon, SHBA duhet të mbështesë fuqishëm Kosovën

Ministrja Gërvalla vlerësoi interesimin e studentëve të “La Sapienza-s” për zhvillimet në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar bashkëbisedimin si të hapur, të frytshëm dhe me diskutime substanciale.

“Të flasësh për Kosovën në këtë ambient, në zemër të Romës, do të thotë të ndërtosh ura të reja njohjeje dhe bashkëpunimi, por edhe të nxisësh interesin e gjeneratës së re për të ardhur në Kosovë për studime, hulumtime dhe praktika të ndryshme profesionale”, tha ministrja Gërvalla.

Lexo më shumë  Kosova e Britania drejt marrëveshjeve strategjike në mbrojtje e siguri

Në mbyllje të diskutimit me studentët e Shkencave Politike, ministrja Gërvalla uroi që Kosova të mbetet pjesë e hartës intelektuale dhe profesionale të tyre.

YouTube player