KryesoreLajme

Gërvalla kundërshton prezencën e Daçiqit në Konferencën për dhunën seksuale

Shumë duartrokitje nga të pranishmet në sallë, e që ishin viktima të dhunës seksuale në konflikt, nga vende të ndryshme të botës, mori ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Këto duartrokitje nuk ishin për atë që ajo tha, por në fakt për refuzimin që ajo bëri të përgjigjet në pyetjen se “cilat janë mangësitë që ka identifikuar Kosova në raport me dhënien e ndihmës për viktimat e dhunës seksuale në konflikt”.

Reagimi i saj i ashpër, se refuzon të përgjigjet, kur në panelin para saj, për këtë temë ishte ftuar të flasë edhe Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, e për të cilin Gërvalla tha se është një nga autorët e këtyre krimeve, si dora e djathtë e diktatorit Slobodan Miloseviq, u mirëprit nga viktimat e pranishme në sallë, të cilat disa herë e ndërprenë duke duartrokitur.

Zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt të organizuar në Londër.

Në këtë Konferencë, ministrja Gërvalla merr pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly, raporton “RTK Live”.

“Drejtësia është gjithmonë kyçe në këtë çështje, pra çështja e sjelljes së drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, është kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht detyrë e secilit”, e nisi fjalimin e saj ministrja Gërvalla. “Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e kryersit e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit”, tha ministrja Gërvalla, duke aluduar në luftën e fundit në vend dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. “Prandaj pyetja që kam unë sot këtu për ju dhe të gjithë është se si autorët duhet të përballen dhe të mbahen si llogaridhënës për atë çfarë kanë bërë”.

Lexo më shumë  Aksion i madh i policisë: Arrestohen 20 persona, sekuestrohen 120 mijë euro

Më tej, në katër minutat e fjalimit të saj, ajo nuk fshehu pezmin për një fakt.

“Jam paka e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference”, deklaroi Gërvalla, nën duartrokitjet e viktimave të pranishme në sallë.

Ajo shprehu dilemën se si mund të flitet për mangësitë e trajtimit të këtyre rasteve të dhunës në Kosovë, kur përballë të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikt, e për të cilat u shpreh se kanë qenë të guximshme mjaftueshëm, të vijnë, të tregojnë se nuk janë duke u dorëzuar, se duan për vetën dhe fëmijët e tyre një perspektivë, e që janë ulur në këtë sallë, në anën tjetër të përballen me faktin se kjo konferencë është edhe një konferencë më shumë.

“Sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryerësit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha Gërvalla.

I gjendur pa përgatitur për fjalë të tilla, drejtuesi i konferencës në panel, nuk e kishte idenë se kush ishte personi për të cilin fliste ministrja e Jashtme e Kosovës.

Lexo më shumë  Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

“Flet për Ivica Daçiqin”, i tha një nga të ftuarat me zë të ulët, drejtuesit të konferencës, përshpërima e të cilëve u dëgjua nga mikrofoni i ndezur.

Megjithatë, vetë ministrja Gërvalla e sqaroi se për kënd po fliste.

“Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Slobodan Millosheviqt në vitet 1992-2000”, tha ajo. “Kur flasim kaq shumë për viktimat dhe të mbijetuarat, duhet ta kemi së pari repsektin e tyre, e pastaj të flasim për rrethanat. Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve”, tha Gërvalla. “E ky është obligimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër”.

Ndërkohë, gjatë punimeve të konferencës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare.

Konferenca në tërësi, përqendrohet në reagimin global ndaj dhunës seksuale në konflikt, parandalimin e saj, mbështetjen e të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga dhuna seksuale në konflikt, si dhe në nxitjen e veprimeve dhe praktikave më të mira për të krijuar përgjegjësi ndaj autorëve të kësaj dhune.

Konferenca Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt mbahet nga 28-29 nëntor në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *