Lajme

​Gërvalla i kërkon homologut hungarez angazhim konkret për të ndryshuar qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka thënë se i ka kërkuar homologut të tij hungarez angazhim konkret për të ndryshuar qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Pas takimit me Péter Szijjártό, Gërvalla ka thënë se Kosova po ballafaqohet me sulme në internet dhe sabotime të Rusisë që vinë përmes Serbisë andaj sipas saj aleatët duhet të marrin seriozisht kërcënimet e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Ndërsa diplomati hungarez, Péter Szijjártό ka deklaruar qëndrimin e Hungarisë për mos përfshirje në luftë.

“Hungaria nuk do të përfshihet në luftën që po ndodh tek fqinjët tanë. Dje, Këshilli i Bashkimit Evropian ka pasur një takim ku Hungaria e ka dhënë pëlqimin që të aktivizojë të ashtuquajturën kornizën e paqes evropiane dhe përmes kësaj kornize Bashkimi Evropian do të ofrojë armë tek Ukraina, mirëpo Hungaria, edhe pse e kemi dhënë pëlqimin ne e kemi bërë të qartë pozicionin tonë që Hungaria nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë dhe as armë për shkak që ne nuk dëshirojmë të përfshihemi në këtë luftë fare”, ka thënë ministri i Jashtëm hungarez.

Ai ka thënë se prioritet e kanë garantimin e sigurisë për popullin e Hungarisë.

“Sot e kemi marrë një vendim tjetër që nuk do të lejojmë kalimin tranzit të armëve vdekjeprurëse nëpër territorin e Hungarisë. Ky veprim është i nevojshëm për të garantuar sigurinë e Hungarisë dhe komunitetit hungarez. Arsyeja për këtë vendim është se këto transportime mund të bëhet cak i veprimeve armiqësore ushtarake dhe dua të theksoj që ne do të kujdesemi për sigurinë e popullit të Hungarisë dhe duam të sigurohemi që nuk do të përfshihemi në luftë”, ka thënë ministri hungarez”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Gërvalla ka thënë pushtimi i Rusisë në Ukrainë është katastrofë humanitare dhe krim lufte.

“Nga homologu im kërkova që Hungaria, si anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe si shtet mik i Serbisë të angazhohet më konkretisht për një ndryshim të qasjes shumë agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës. Homologun tim e informova gjithashtu që jemi duke u ballafaquar me sulmet ruse në internet, me spijunazh dhe me sabotime të mundshëm që vinë nga Rusia përmes Serbisë. Shpresojmë që në situatën e re të krijuar, partnerët dhe aleatë tanë të marrin edhe më seriozisht kërcënimet e vazhdueshme të Rusisë dhe Serbisë ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë ministrja e Jashtme e Kosovës.

Gërvalla ka thënë se edhe Kosova kërcënohet nga Serbia siç është kërcënuar Ukraina nga Rusia.

“Ashtu si Putini në Ukrainë dhe në Bjellorusi, Vuqiq propagandon të drejtën e Serbisë për të dominuar rajonin. Ne presim dhe kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të mos përsërisë me Vuçiqin aleatin më të ngushtë të Rusisë në Ballkan, të njëjtat gabime që janë bërë në raport me Putinin. Kërcënimet e hapura të Vuçiqit me luftë, armatimi i tij i skajshëm dhe militarizimi i Serbisë me ndihmën e Putinit duhen vlerësuar drejt dhe duhet të marrin përgjigje të shpejtë dhe të merituar”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Ajo ka thënë se Serbia po e kërcënon rajonin por sipas saj Kosova vazhdon të mbetët e sigurt.

“Në koordinim të ngushtë me ShBA-të, NATO-n dhe BE-në jemi duke rritur vigjilencën dhe masat për sigurimin e kufijve tanë. Sigurua e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj është në fokusin e partnerëve të saj e në radhë të parë të ShBA-ve. Kosova ka miq të fortë dhe trupat e NATO-s në vend, andaj me plot siguri mund të themi që Kosova është e sigurt dhe që çdo ditë po punojmë të mbetët e tillë”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla dhe homologu i tij hungarez janë deklaruar pas takimit që kanë zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë ndërsa nuk kanë pranuar t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *