Gazsjellësi TAP/ Brenda marsit merret vendimi për të dyfishuar ose jo kapacitetin
Kompanitë që zotërojnë gazsjellësin TAP do të vendosin brenda muajit mars për të dyfishuar ose jo kapacitetin e gazsjellësit nga 10 miliardë në 20 miliardë metra kub gaz në vit. Gazsjellësi nis nga kufiri greko-turk, kalon mes për mes Shqipërisë dhe “shfaqet” në plazhet e marinës Melendugno, në bregdetin e Salentos duke futur më pas gazin e fushës gjigande të Shah Denizit në rrjetin kombëtar italian.
Kompanitë njoftuan se në mars përfundon verifikimi i interesit faktik të tregut – si të operatorëve kryesorë të kontraktuar me TAP-in ashtu dhe të konsumatorëve- nëse ka kërkesë për dyfishimin e sasisë së gazit. Ky është një operacion që nuk kërkon investime të reja në tubacionet, të ndërtuara që në fillim për të transportuar më shumë gaz nga niveli aktual. Por rritja e kapacitetit kërkon investime për përmirësimin e stacioneve ekzistuese të kompresimit të gazit në kufirin greko-turk, ku TAP e merr gazin nga Tanap (Trans Anatolian Pipeline ).
Deri në mars do të bëhet i ditur vendimi i konsorciumit Tap dhe 5 anëtarëve të tij (të gjithë nga 20%), pra azerëve të Socar, British Petroleumit anglez, italianes Snam, belges Fluxys dhe spanjolles Enagàs. Nëse bëhet dyfishimi, do të jetë e nevojshme të zbatohen, së bashku me ndërhyrjet strukturore në stacionet e kompresimit, rregullimet administrative dhe rregullatore si dhe lejet në 3 vendet e përfshira (Greqi, Shqipëri, Itali).
Gaz për të gjithë, por jo për Shqipërinë
Nga momenti i nisjes së tij në vitin 2020 deri më tani, gazsjellësi TAP ka transportuar mbi 30 miliardë metër kub gaz në Europë.
Nga këto, 24 miliardë metër janë shpërndarë në Itali, ndërsa 6 miliardë të tjerat në Greqi dhe mbi të gjitha në Bullgari, e cila falë këtij gazsjellësi mundi të fillonte të çlirohej nga gazi rus. Këto numra konfirmojnë se gazsjellësi është strategjik dhe duhet të forcohet më tej.
Dyfishimi i gazsjellësit – i cili aktualisht plotëson 15 për qind të nevojave të Italisë dhe ka bërë të mundur reduktimin e gazit rus në 3 për qind- do të ishte gjithashtu funksional edhe për korridorin e gazit jugor. Atë që BE e kishte dizenjuar kohë më parë përmes Ballkanit dhe që dalëngadalë po kompletohet me nyje të tjera.
Duke filluar nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ku së fundmi në Nish u inaugurua interkonektori ndërmjet rrjeteve të gazit të Bullgarisë dhe Serbisë. Edhe nëse nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me TAP-in, interkonektori rrit kapacitetin depërtues të këtij korridori energjetik drejt Evropës Jugore, duke përfshirë edhe Serbinë, vendin më rezistent ndaj përafimit me këtë politikë energjetike të BE-së, pikërisht sepse është i lidhur tradicionalisht me Rusinë.
Kjo infrastrukturë energjetike do të duhet të vazhdojë më pas në Ballkan, duke filluar nga Kosova dhe Shqipëria por vetëm për pjesën që kalon TAP-i. Prandaj, janë duke u studiuar format e integrimit ndërmjet dy rrjeteve të ardhshme dhe ndërtimi i një termocentrali të madh me gaz në Shqipëri, i aftë për të mbështetur prodhimin e energjisë elektrike të destinuar për Kosovën.
Rruga Press