Gazetari rus shet medaljen e Nobelit për fëmijët ukrainas
Çfarë çmimi ka paqja?
Kjo pyetje mund të marrë një përgjigje mbrëmjen e kësaj të hëne, kur gazetari rus Dmitry Muratov të shesë në ankand medaljen e dhuruar pasi fitoi Çmimin Nobel për Paqen.
Shuma do i shkojë menjëherë UNICEF-it për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë.
Muratovi fitoi medaljen e artë në tetor të vitit 2021, si një ndër themeluesit e gazetës së pavarur ruse ‘Novaya Gazeta’. Ai punonte si kryeredaktor në kohën kur gazeta u mbyll në mars, pas reagimit të ashpër të Moskës ndaj gazetarëve në fillimet e pushtimit rus të Ukrainës.
Ishte vetë Muratovi që donte ta shiste medaljen e Nobelit, ndërkohë që më parë kishte njoftuar se do të dhuronte 457 mijë euro për bamirësi për ‘t’i dhënë fëmijëve refugjatë një shans për të ardhmen’.
Sipas tij, sanksionet e vendosura ndaj Rusisë anashkalojnë krizën, ndihmat humanitare dhe nevojat urgjente për medikamentet e sëmundjeve të rralla.
Ai fitoi çmimin Nobel për paqe vitin e shkuar bashkë me gazetaren filipinase Maria Ressa.
Dy gazetarët u nderuan për punën e tyre në mbrojtjen e lirisë së fjalës, përpos sulmeve të vazhdueshme, nga qeveritë e vendeve të tyre .
Muratov ka qenë një prej zërave më kritikë ndaj Rusisë gjatë aneksimit të Krimesë në 2014, si dhe luftës që nisi në shkurt, që shkaktoi afro 5 milionë refugjatë ukrainas dhe krizën më të madhe humanitare në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
A mund të shitet Çmimin Nobel?
Rreth 1 mijë persona janë nderuar me Çmimin Nobel që nga themelimi i tij në 1901, për arritjet e tyre në fushën e fizikës, kimisë, fiziologjisë, mjekësisë, letërsi dhe përparimin e paqes.
Çmimi më i lartë që është shitur medalja e Nobelit ishte në 2014, kur James Watson, një ndër bashkautorët e zbulimit të strukturës së ADN-së në ’62, e shiti atë për 4,52 milionë euro.
Medalja 23-karatëshe prej ari e Muratovit do të peshonte 175 gramë po të shkrihej, duke kapur një vlerë prej rreth 9.500 euro.
Rruga Press