Gazetari “ndërkombëtar” i Kosovës
Shkruan Donik Sallova, studiues i Shkencave Politike
Gazetari në Kosovë nuk e humb rastin për ta pyetur pushtetarin, politikanin apo analistin politik se “pse Kosova duhet të insistojë në ‘të drejtën e saj’ kundrejt aleatëve, kur ata, aleatët, kanë telashe shumë më të mëdha globale se sa problemet e brendshme të Kosovës, qofshin ato edhe problemet tona të sigurisë”! Pra, gazetari i Kosovës kur e parashtron pyetjen nuk logjikon nga interesi i publikut të Kosovës, siç e kërkon etika e punës që bën, por logjikon nga interesat ndërkombëtare duke i mbivendosur ato mbi interesat e Kosovës.
Sipas kësaj logjike, meqë bota sot ka probleme më të mëdha, atëherë Kosova duhet t’u dorëzohet “problemeve të saj të vogla” në mënyrë që ato të mos u shtohen barrës së madhe të problemeve globale të aleatëve.
Gazetari i tillë duke pasur formim komercial mbi profesionin që ushtron, beson se heqja dorë e Kosovës nga e drejta për t’i zgjidhur problemet e veta të brendshme, siç janë ato të sigurisë, ligjshmërisë e sovranitetit, mund të këmbehet si në tregti me interesat e aleatëve për ta ruajtur stabilitetin në Ballkan apo për ta shkëputur Serbinë nga Rusia dhe Kina dhe rreshtuar atë në anën e Perëndimit.
Duke logjikuar vetëm ndërkombëtarisht, gazetari i Kosovës nuk e sheh si çështje problematike faktin që edhe zgjidhja eventuale e këtij problemi “më të madh” të aleatëve për ta shkëputur Serbinë nga Rusia dhe Kina, nuk do ta zgjidhte fare problemin e tonë të brendshëm të cënimit të sigurisë e ligjshmërisë nga strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës. Sepse Serbia edhe nëse do t’i bashkohej Perëndimit, ajo këtë nuk po e bën duke e njohur Kosovën shtet të pavarur, si një tregues i heqjes dorë nga sjellja hegjemoniste e modelit rus, as duke u demokratizuar si shtet e duke i trajtuar shqiptarët e Luginës së Presheves siç trajtohen pakicat në botën demokratike. Përkundrazi, Serbia orientimin e saj kah Perëndimi po ia kushtëzon aleatëve me plotësimin e interesave të saj kundrejt shtetësisë së Kosovës.
Përndryshe si shpjegohet mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë pavarësisht asaj që ndodhi në Banjskë, si tolerohet Serbia të refuzojë herë në një letër e herë me një tjetër Marrëveshjen e Brukselit e të mos dalë Stanov ta etiketojë atë si cënuese të interesave të BE-së për stabilitet të rajonit të Ballkanit Perëndimor?
Këtë presion të munguar të aleatëve mbi Serbinë, gazetari i Kosovës e interpreton edhe si interes të Kosovës, meqë ky qenka interes i aleatëve. Ky gazetar asnjëherë nuk provon t’i pyes ndërkombëtarët “se si qenka interes i botës demokratike legjitimimi i aspiratave hegjemoniste të një shteti me regjim hibrid siç është Serbia kundrejt një shteti demokratik dhe thellësisht properëndimor si Kosova?” Si do t’u demokratizoka rajoni ynë kur e drejta u përcaktoka nga fuqia ushtarake e ekonomike dhe interesat biznesore më shumë se sa nga përcaktimi për vlerat europiane dhe demokratike? Kjo pyetje i mungon gazetarit tonë në Kosovë!
Rruga Press