Gazetari italian që raportoi për Arubën: Jam dhunuar edhe pse nën mbrojtje! Mafia shqiptare ka vendosur hegjemoninë në Evropë
Nga Nino Luca, Corriere TV
Në librin “Të pathyeshmit” (origj. ‘Invincibili’), gazetari Nello Troçhia rrëfen ngritjen e heshtur dhe të pamëshirshme të krimit shqiptar në Itali, duke e ndërthurur me dobësitë politike, gjyqësore dhe shoqërore të tridhjetë viteve të fundit. Për librin e tij po flitet prej ditësh në talk show-t shqiptare, madje edhe deputetët e opozitës janë marrë me të, për shkak të zbulimeve që përmban. Trocchia, i dërguar i gazetës Domani, është autori i skandalit mbi rrahjet në burgun e Santa Maria Capua Vetere dhe ka shkruar shumë investigime mbi mafiet dhe korrupsionin politik.
Si fillon kjo histori?
Me mbërritjen e shqiptarëve në Itali me anijen Vlora, më 8 gusht 1991: i kujtojmë të gjithë ato pamje. Nga porti i Barit, ai popull u prit me urrejtje e shkopinj gome, por edhe me solidaritet.
Dhe më pas çfarë ndodhi?
Problemi është ky: ndërsa nga njëra anë kemi kriminalizuar emigracionin dhe i kemi shpallur luftë të varfërve, nga ana tjetër kemi harruar plotësisht trafikantët e drogës. Shqiptarët, që u bënë pjesë e botës së krimit, u rritën dhe u formuan nga mafiet tradicionale, përmes furnizimit me atë që u duhej mafieve italiane: armë pas shpërbërjes së regjimeve komuniste në Jugosllavi e Shqipëri, trafik njerëzish – ata që iknin nga varfëria – dhe trafik prostitucioni që krimi shqiptar e menaxhonte në një kohë kur shumë klane italiane nuk e bënin më. Pastaj vjen edhe dhuna: ajo dozë dhune që përdorej për të rikuperuar borxhet. Të gjitha këto, nga pikëpamja e furnizimeve dhe pasurisë kriminale, u dhanë shqiptarëve mundësinë të bëhen sot një mafie hegjemonike në Evropë.
Ç’lidhje ka Roma me këtë?
Roma është trampolina e nisjes, sepse aty trafikantët shqiptarë mësuan shumë. Mësuan të shtiren si të varur nga droga. Në libër tregoj historinë – e pabesueshme për heshtjen e politikës dhe opinionit publik – të një trafikanti droge, Dorian Petoku, që zbulova se ndodhej në një komunitet rehabilitimi bashkë me shokët e dikurshëm. Ai, trafikant droge, ishte paraqitur si i varur nga substancat falë dokumenteve që kishte siguruar. E denoncova gjithçka, por nuk vlejti. Sot Dorian Petoku ndodhet në Dubai, në pritje të ekstradimit, pasi iku pas hetimeve të mia.
Gjithashtu në Romë ata mësuan të shtiren si të çmendur. Pastaj u lidhën me personazhe të njohur dhe u futën në rrjete kontakti me profesionistë. Në Romë ishte edhe shqiptari i fundit i famshëm, Fabrizio Piscitelli, i vrarë më 7 gusht 2019 — një narko-ultra me lidhje si me botën e nëndheshme, ashtu edhe me atë të mbidheshme. Në Romë ekziston kjo lidhje mes ekstremistëve, kriminelëve dhe tifozëve të dhunshëm. Aty u formua një nga shtyllat romane të organizatës. Janë shumë, dhe sot kanë një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës: Roma është një qytet i trafikut dhe, mbi të gjitha, i pastrimit të parave.
E ardhmja?
Krimi shqiptar, në fakt, sot flet si i barabartë me ‘Ndranghetën’. Portet e Anversës dhe Roterdamit janë pjesërisht në duart e grupeve shqiptare, të ndara në qeliza. Një i penduar i njërit prej klaneve më të fuqishme të ‘Ndranghetës’, Mancuso, më tha: “Kujdes, ka një ndryshim mes nesh dhe tyre. Ata kanë një strukturë familjare, janë të lëvizshëm, dinë të organizohen mirë dhe kanë një ushtri njerëzish me emra fiktivë. Ne, si ‘Ndrangheta’, nuk i kemi më, sepse policia tashmë na njeh të gjithëve. Ndërsa për shqiptarët, një bazë e tillë e të dhënave hetimore ende nuk ekziston.”
A është “mafia” shqiptare e pranishme edhe në Milano?
Po. Por sqarojmë diçka: kur flasim për ‘mafie’, flasim për krim të strukturuar, sepse në shumë gjykata ende nuk është njohur zyrtarisht si ‘mafie’. Kur u formua konsorciumi mes ‘Ndranghetës’, Kamorrës dhe mafies siciliane në Milano, tani që po zhvillohet procesi Hydra, dolën në dritë lidhjet me politikën dhe botën e biznesit. Shqiptarët ishin aty, sigurisht që ishin. Në nivelet drejtuese, për të goditur, për të frikësuar, për të pastruar para, për të filluar të uleshin në atë tryezë e të ndanin përfitimet.
Pse ekzistojnë mafiet apo krimi i organizuar?
Mafiet janë pushtet: ekzistojnë kur pushtetet e tjera janë të dobëta ose të paafta për të ndërtuar një hegjemoni dhe një besim me komunitetet. Por ekzistojnë edhe kur pushtetet e tjera i përdorin ato. Historikisht, pushteti mafioz është përdorur si shërbim kriminal nga pushtete të tjera në momente të rëndësishme. Në vitet ’90, me krizën e komunizmit në Shqipëri dhe kapitalizmin e egër të sistemit të skemave piramidale që e varfëroi popullin, sistemet kriminale shqiptare u bënë thelbësore për të organizuar emigracion, trafik dhe reagime edhe në Shqipëri. Ata grabisnin depot e armëve dhe përmbushnin kërkesat e mafieve italiane, por edhe të pushteteve shqiptare të paafta për të përballuar situatën.
A ndihesh vetëm?
Jam ndier — dhe ndonjëherë ende ndihem — vetëm. Por ne jemi zgjedhjet tona, jo pasojat tona. Më vjen keq kur personat, për të cilët kam shkruar, i takoj në tren. Njëri që kishte shkruar ‘amen’ nën foton time, më doli përballë në të njëjtin tren për në Romë. Ia dola të bisedoj me të, edhe pse ndjeva frikë. Për fat isha vetëm, jo me familjen. Ndonjëherë ndihem i dëshpëruar, ndonjëherë kam frikë, ndonjëherë shoh neglizhencë nga institucionet, por e bëj këtë punë sepse e di që viktimat dhe të shtypurit, për të cilët shkruaj, janë afër misionit tim.
Do doje të kishe mbrojtje policore?
Do të doja të mund të vazhdoja të bëja punën time. Që prej 2015-ës kam mbrojtje nga karabinierët për shkak të kërcënimeve që kam marrë, por që atëherë më ka ndodhur gjithçka: grushte, shkelma, agresione. Kjo mbrojtje s’ka vlejtur shumë, vazhdoj t’i besoj atyre që paguhen për të marrë vendime që duhet të sigurojnë, për mua dhe për shumë të tjerë, mundësinë për të kryer një detyrë kushtetuese: të informojmë.
Rruga Press

